Fakulteti i Arteve, Programi studimor i Arteve Dramatike dhe Audiovizuale i Universitetit të Tetovës, më 4 maj 2023 e realizoi trajnim me maturantët e interesuar për drejtimet: Aktrim, Regji Teatri, Regji Filmi, Montazh, Kinematografi, Dramaturgji-Skenar Filmi dhe Produksion.
Në këtë organizim ishin të pranishëm, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti; Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli; shefi i Programit studimor të Arteve Dramatike dhe Audiovizuale, Prof. Inord. Kushtrim Bekteshi, si dhe profesorët dhe asistentët e drejtimit të Arteve Dramatike dhe Audiovizuale: Prof. Inord. Sulejman Rushiti, Prof. Inord. Sabidin Aliu, Prof. Inord. Sabedin Selmani; Doc. Mr. Gazmend Izairi, Ass. Mr. Osman Demiri, Ass. Elmir Sejfullai, Ass. Sheqerie Ilazi, Ass. Lavdrim Alili dhe Ass. Leotrim Idrizi.
Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, tha se qëllimi i takimit është që maturantët të njihen nga afër me të gjitha programet studimore që i ofron Universiteti ynë, të shohin kushtet që ne kemi dhe të njihen gjithashtu edhe me stafin akademik, me të cilët nesër si studentë do të punojnë e bashkëpunojnë.
Ndërsa, përgjegjësi i Programit studimor të Arteve Dramatike dhe Audiovizuale, Prof. Inord. Kushtrim Bekteshi, theksin e vuri te dilema e maturantëve se cilin drejtim duhet ta zgjedhin. “Mund të keni edhe dilema, se a doni të studioni aktrim apo regji, kamerë apo montazh, por ne për këtë punë jemi këtu, të zgjedhim dilemat tuaja dhe të ju përgjigjemi pyetjeve tuaja që ju preokupojnë, që pastaj ju të vendosni më tutje ku doni të vazhdoni. Shpresoj që në njëfarëlloj mënyre do të zbulojmë talente të rinj. Do ta shihni edhe vetë se është një hapësirë magjike, skenike ose filmike, ku ju do të mund të zbuloni diçka për herë të parë sot në këtë punëtori dhe do të jeni shumë më të sigurt se jeni të vendosur për të vazhduar studimet, në cilin drejtim qoftë, që ofron Fakulteti i Arteve, përkatësisht programi studimor i Artit Dramatik dhe Audiovizual”, tha përgjegjësi i Programit studimor të Arteve Dramatike dhe Audiovizuale, Prof. Inord. Kushtrim Bekteshi.
Në këtë aktivitet, maturantët e pranishëm patën mundësinë që të ndjekin dy pjesë nga provimet studentore të studentëve të aktrimit, viti i dytë. Pjesa e parë ishte dramë me elemente komike, kurse pjesa e dytë komedi – imitime të personazheve publike. Pas kësaj, secili maturant, varësisht se për cilin drejtim do të përcaktohen zhvilluan punëtori me studentët dhe profesorët përkatës për t’u njohur më konkretisht me natyrën specifike të studimeve për artet performuese-skenike dhe audiovizuale dhe të bëjnë zgjedhjen e duhur në të ardhmen.