Në vazhdën e aktiviteteve kushtuar Ditës së Evropës, të organizuara nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës dhe Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare, më 8 maj 2023, Ambasadorja e Suedisë në vendin tonë, Ami Larsson Jain, e vizitoi Universitetin e Tetovës, me ç’rast u prit nga Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Drejtori i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare, Prof. Dr. Ylber Sela, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu dhe Prodekani për arsim, Prof. Dr. Ebrar Ibraimi.
Rektori ynë, ambasadoren e njoftoi me ecurinë e punëve në Universitet, veprimtarinë arsimore-shkencore dhe kontributin që ky institucion jep për mirën e përgjithshme. Pas takimit, Ambasadorja para studentëve të Fakultetit Juridik mbajti një prezantim lidhur me procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Me këtë rast, Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Jusuf Zejneli potencoi faktin se, ne gjithmonë mbështesim bashkëpunimin në kuadër të kontributit të tërësishëm dhe në veçanti në procesin e integrimit në BE dhe se vendi po ballafaqohet me një proces mjaft serioz lidhur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe ndryshimeve në Kodin zgjedhor, me qëllim të hapjes së rrugës për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotë të vendit në BE.
Ambasadorja suedeze deklaroi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. “Republika e Maqedonisë së Veriut u ballafaqua me sukses dhe profesionalisht me procesin e skriningut. Kërkohet mbështetje për procesin e mëtutjeshëm të integrimeve evropiane. Mbetet prioritet çështja e sigurisë, zgjidhja e problemit të papunësisë, ruajtja e vlerave demokratike dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit. Korrupsioni është shumë i dëmshëm pasi shkatërron shoqërinë dhe dobëson demokracinë, e si rrjedhojë humbet besimi tek institucionet, po ashtu kërcënon funksionimin e ekonomisë dhe e prish konkurrencën, e nga tërë kjo në fund humbasin qytetarët, bizneset dhe shoqëria në tërësi”, tha, Ambasadorja e Suedisë në RMV, znj. Ami Larsson Jain.
Në komunikimin me ambasadoren, studentët tanë ishin mjaft aktivë dhe këtë e dëshmuan përmes pyetjeve dhe komenteve që kanë të bëjnë me çështjen e realizimit të ndryshimeve kushtetuese dhe procesin e përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje.
Zyra për informim