Në Universitetin e Tetovës, sot u shfaq filmi dokumentar “Gratë e Lirisë” me regji nga Lum Çitaku. Ky film dokumentar shërben për të dëshmuar dhe faktuar kronologjinë e luftës, rezistencës dhe sakrificës së madhe të grave të Kosovës, e cila përbën një pjesë thelbësore dhe të qenësishme të lëvizjes së shqiptarëve për liri dhe pavarësi.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, i cili bashkë me bashkëpunëtorët e tij dhe shumë miq të tjerë që ishin të pranishëm në shfaqjen e këtij filmi dokumentar u shpreh se ky projekt kaq i veçantë i bën jehonë kontributit të jashtëzakonshëm që kanë dhënë gratë gjatë viteve më vendimmarrëse dhe të rëndësishme për historinë kombëtare, siç janë dhe protestat e mëdha të grave të viteve ‘90, protestë masive që kulmoi me Marshin për Drenicën, me moton “Bukë për gratë dhe fëmijët e Drenicës”, ku dhe fokusohet ky dokumentar.
Ai më tej theksoi se, thirrja për kushtrimin e lirisë nuk njihte moshë e as gjini, dhe gratë shqiptare të armatosura me forcën e argumentit, u ballafaquan me uzurpatorin serb që në brez shtrëngonte armët, gjë që dëshmon haptazi se dhe armiku përballë nuk ka bërë dallim as për moshë e gjini.
Ndërsa Hasnije Iljazi, kryetare e Shoqatës së Filozofëve të Kosovës tha se, ky dokumentar dhe promovimi i këtij filmi është rikujtimi i gjithë asaj periudhe që kemi kaluar ne si gra, për liri dhe pavarësi në ato kohëra të vështira. Në këtë periudhë ku ne akoma jemi në negociata është shumë mirë që e rikujtojmë historinë, sepse nuk është vetëm kujdes për ne gratë, por është edhe një tregim për mbarë botën. Ajo i falënderoi të gjithë të pranishmit për interesin e treguar për të parë këtë dokumentar, që tregon kontributin e shumë grave shqiptare në periudha të ndryshme.
Ky dokumentar, veç tjerash rikthen në memorien kolektive vlerën e madhe që ka liria dhe pavarësia, peshën e sakrificës dhe rëndësinë e dokumentimit të ngjarjeve deri në ditën e sotme.
Zyra për informim