Në Universitetin e Tetovës, përkatësisht në Fakultetin Pedagogjik, përfaqësuesi i Ambasadës së SHBA-ve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Gazmend Ilazi, sot e prezantoi një gamë të gjerë bursash që kjo Ambasadë i ofron për studentët dhe stafin e Universitet të Tetovës.
Vëmendja kryesore e prezantimit u përqendrua te programet më të kërkuara, të cilat janë: Programi Fullbright për Studentët e Huaj, Programi Fullbright për Studiues dhe Programi Global për Shkëmbim për Studime Deridiplomike(Global Ugrad).
Programi Fullbright për Studentët e Huaj ju mundëson të kryeni studime pasuniversitare një ose dy vjeçare. I gjithë procesi i aplikimit bëhet online dhe është 100% transparent. Aplikimi bëhet në faqen https://foreign.fullbrightonline.org/ ose tek https://mk.usembassy.gov/.
Programi Fullbright për Studiues ofron bursa për përafërsisht 850 studiues nga 100 shtete të ndryshme, të cilët duan të bëjnë kërkime shkencore mbi temat e tyre të doktoraturës në institucionet e SHBA-ve. Për të aplikuar në këtë program duhet të keni të kryer studimet e doktoratës dhe të dini gjuhën angleze, mjaftueshëm sa për ta realizuar projektin përkatës. Aplikimi bëhet në faqen https://foreign.fullbrightonline.org/ ose tek https://mk.usembassy.gov/.
Ndërkaq, Programi Global për Shkëmbim për Studime Deridiplomike(Global Ugrad), është i sponsoruar nga Byroja për Arsim dhe Kulturë e Departamentit Amerikan dhe ofron bursa për studentët për një semestër akademik, në studime deridiplomike. Ky program është i dizajnuar që studentët të ekspozohen në sistemin edukativ, social, dhe kulturor të SHBA-ve. Objektivat e këtij programi janë shkëmbimi i përvojave për të nxitur kompetencat akademike,ndërkulturore dhe drejtuese. Aplikimet mund të bëhen në http://worldlearning.org/what-we-do/global-ugrad/.
Përveç këtyre programeve, Ambasada e SHBA-ve ofron edhe shumë bursa të tjera të cilat mund t’i gjeni në ueb faqen zyrtare të tyre: https://mk.usembassy.gov/, së bashku me instruksionet e detajuara se si bëhet aplikimi. Të gjitha shpenzimet i mbulon Ambasada dhe kërkesa bazë është njohja e gjuhës angleze.
Zyra për informim