Në Universitetin e Tetovës, më 15 maj 2023, u mbajt Simpoziumi IV, “Gjurmë në kohë” – Portreti i shkrimtarit Ibrahim Kadriu. Ky simpozium, këtë vit u organizua nga Shoqata për Kulturë dhe Shkencë “Ars Albanica”, së bashku me Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës.
Kryetari i Shoqatës për Kulturë dhe Shkencë “Ars Albanica”, në hapjen e punimeve të kësaj ngjarjeje u shpreh se, në thelb të këtij aktiviteti letrar qëndron afirmimi i vlerave të përbashkëta mbarëkombëtare. “Shoqata Ars Albanica ka nderin që para Jush ta prezantojë portretin letrar të shkrimtarit të madh shqiptar, Ibrahim Kadriu, një emër tepër i rëndësishëm për letërsinë kombëtare shqiptare. Veprimtaria letrare e shkrimtarit Ibrahim Kadriut është mjaft e gjerë, andaj nuk mund të përfshihet gjithçka mbi veprat e tij, vetëm në këtë simpozium, megjithatë përpiqemi që ta nxisim kujtesën tonë drejt leximit, njohjes dhe vlerësimit të punës me përkushtim të shkrimtarit tonë, Ibrahim Kadriu. Të përkujtosh veprimtarinë letrare të Ibrahim Kadriut, do të thotë të njohësh një opus tepër të gjerë të letërsisë shqipe, që është krijuar në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë Londineze”, tha Prof. Dr. Zeqirja Rexhepi.
Në hapjen e këtij simpoziumi, të pranishmëve me fjalë përshëndetëse ju drejtua edhe rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Kushtrim Ahmeti. Ai tha se, kjo ngjarje tregon një segment shumë të rëndësishëm se, Universiteti i Tetovës është qendër e zhvillimeve jo vetëm shkencore, por edhe kulturore dhe artistike në vendin tonë. “Komunikimet brendakombëtare, që janë të rëndësishme për letërsinë dhe shkencën në tërësi, gjithmonë do të jenë prioritet i yni dhe ne si universiteti gjithmonë do t’i mbështesim aktivitetet e këtij lloji, duke ju siguruar se dyert e Universitetit tonë gjithmonë do të jenë të hapura në zhvillimin e shkencës, artit, kulturës, gjuhës, letërsisë dhe të shumë veprimtarive tjera”, theksoi Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Në këtë simpozium, për veprimtarinë e bujshme të shkrimtarit Ibrahim Kadriu foli edhe dekani i Fakultetit Filologjik të Universitetit tonë, Prof. Dr. Berton Sulejmani, si dhe shumë personalitete të tjera, në mesin e të cilëve pedagogë universiteti, publicistë, studiues të letërsisë, ndërsa studentët tanë i prezantuan punimet e veta kushtuar veprimtarisë së shkrimtarit Ibrahim Kadriu.
Në përmbyllje të punimeve të këtij simpoziumi u ndanë edhe certifikata për pjesëmarrësit, kurse shkrimtarit Ibrahim Kadriu, nga Shoqata për kulturë dhe shkencë “Ars Albanica” iu nda një pllaketë për kontributin e tij në veprimtarinë letrare dhe artistike, kultivimin dhe afirmimin e letërsisë shqipe në mbarë hapësirat shqiptare dhe më gjerë.
Zyra për informim