Në Universitetin e Tetovës qëndroi për vizitë pune një delegacion nga Universiteti Dumlupinar nga qyteti Kytahja i Republikës së Turqisë. Ky delegacion u prit nga Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri dhe bashkëpunëtorët e tij. Në këtë takim u diskutua për konkretizimin e marrëveshjes paraprake të nënshkruar, sipas së cilës palët kanë rënë dakord që të shkëmbejnë informata relevante me interes të ndërsjellë, të marrin pjesë në trajnime profesionale, seminare, konferenca, tryeza të rrumbullakëta dhe aktivitete të tjera, që lidhen me forcimin e kapaciteteve dhe cilësisë së shërbimeve.

Po ashtu,  kjo marrëveshje parasheh që nënshkruesit e saj të kontribuojnë në zhvillimin e programeve të përshtatshme për nevojat e përdoruesve të shërbimeve të institucioneve, të ndihmohen reciprokisht me këshilla profesionale dhe të ndajnë përvojat ekzistuese dhe të reja të rëndësishme për fushën e tyre të veprimtarisë dhe grupeve përkatëse.

Drejtuesit e të dy universiteteve vlerësuan se bashkëpunimi do të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve të partneritetit, në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe organizimin e veprimtarive të tjera, që synojnë mirëqenien e përgjithshme.

 

Zyra për informim