Universiteti i Tetovës përmes organizimit të ceremonisë solemne të absolventiadës e ka promovuar sot gjeneratën e vitit akademik 2022/23. Rreth 800 absolventë në trembëdhjetë njësi akademike i kanë përfunduar studimet e ciklit të parë, andaj sot, së bashku me prindërit e tyre dhe familjarët, ata në mënyrë solemne e mbyllën një kapitull për të hapur një tjetër në karrierën e tyre profesionale. Kjo veprimtari tubon me mijëra qytetarë dhe konsiderohet si ngjarja me e rëndësishme për arsimin e lartë në gjuhën shqipe, sepse shënon një arritje arsimore-shkencore për Universitetin e Tetovës dhe mbarë shoqërinë.

Këtë ceremoni e shpalli të hapur anëtarja e Senatit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Flamure Ibraimi – Sadiku, e cila u shpreh se ky universitet përherë ka krijuar hapësirë dhe mundësi të shumta për studime të thelluara në të gjitha sferat e dijes.

“Si universitet kemi mundësuar studime dhe hulumtime në të gjitha sferat e dijes dhe kemi promovuar ide dhe zgjidhje të reja në nivel kombëtar dhe më gjerë. Universiteti i Tetovës sot është emër i vlerësuar jo vetëm në planin kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar. Ky universitet është vatër e dijes dhe forcë frymëzuese edhe për ata që sivjet do t’i fillojnë studimet në këtë institucion. Të diplomuarit në universitetin tonë janë dëshmuar në të gjitha sferat e dijes. Ata kanë shënuar suksese të shumta në të gjitha sferat e jetës shoqërore”, tha Prof. Dr. Flamure Ibraimi-Sadiku.

Në vijim të fjalës së saj drejtuar absolventëve ajo theksoi se, dijet që i keni përfituar, tani do t’i zbatoni jashtë dyerve të universitetit, me një ndjenjë përgjegjësie për veten tuaj, familjen dhe shoqërinë.

“Nga dijet Tuaja do të përfitojë shoqëria jonë. Me angazhimin tuaj do të ndikoni për të mirën publike. Me kreativitetin Tuaj do të ndikoni për një jetë dhe shoqëri më cilësore. Me kompetencën Tuaj profesionale do të ndikoni që institucionet të formësohen sipas kërkesave të qytetarisë globale. Ne besojmë fuqimisht se Ju do ta përmbushni misionin që ia keni caktuar vetes. Vetëm përkushtimi dhe puna e palodhur mundëson suksese dhe lind vepra të mëdha e të paharrueshme, që i hyjnë në punë shoqërisë dhe njerëzimit. Ju e keni përvetësuar porosinë se mësimi vazhdon edhe pas diplomimit. Koha për të mësuar dhe studiuar nuk mbaron kurrë. Ky është proces i përhershëm, i cili do t’ua plotësojë jetën”, deklaroi anëtarja e Senatit të UT-së.

Ceremoninë e diplomimit të absolventëve të UT-së e përshëndeti edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës i Qeverisë së RMV-së, Jeton Shaqiri. Ai i përgëzoi studentët që sot diplomuan në Universitetin e Tetovës, universitet ky që mban vulën e luftës për dije, i bën krenarë Tetovën, Maqedoninë e Veriut, por edhe gjithë viset kur flitet shqip e më gjerë.

“Me Universitetin e Tetovës, vite më parë, ne si vend bëmë hap të rëndësishëm në sigurimin e arsimit sipëror në gjuhën shqipe. Sot, po UT bën hapa të rëndësishëm në drejtim të ngritjes së cilësisë në kërkimet shkencore, me organizime dhe pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume të vlefshme, si në vend, po ashtu edhe në rajon, në investim të kuadrit arsimor, programe të reja studimore në hap me kohën, tregun e punës dhe teknologjitë më të fundit. Me një fjalë, UT sot është institucion i respektuar nga të gjithë dhe është obligim i secilit prej nesh të bëjë më të mirën që përmes shembullit personal ta promovojë dhe mbrojë me fanatizëm këtë vatër të dijes, këtë tempull të avancimit shoqëror”, deklaroi ministri Jeton Shaqiri.

Duke folur në emër të qeverisë së vendit tonë, ministri i Arsimit dhe Shkencës u zotua se do të bëjnë më të mirën për të përmirësuar kushtet për punësim, standardin jetësor, ngritjen e klimës së biznesit, përkrahjen për hapje të bizneseve, të gjithë atyre që pranohen në universitete më të mira – mbulimin e plotë të shpenzimeve të studimeve, për ta bërë vendin tonë më të sigurt, për ta bërë opsionin numër një për të jetuar dhe punuar.

Në cilësinë e studentes ekselente, para kolegëve dhe prindërve, fjalë rasti mbajti Fatbardha Zendeli, absolvente e Fakultetit Pedagogjik. Ajo veçoi mbështetjen që kanë marrë si studentë të Universitetit të Tetovës nga drejtuesit e Universitetit, nga profesorët dhe Unioni i Studentëve, që është e pa përshkruar ngase gjithmonë prioritet i tyre kanë qenë dhe janë studentët, sidomos avancimi në programe të ndryshme shkencore, duke marrë parasysh edhe bursat që jepen për studentët ekselentë. “Si studente e Fakultetit Pedagogjik jam e lumtur dhe e kënaqur që kam studiuar në këtë Universitet, sepse dituria ime është gdhendur në një tempull dijeje siç është Universiteti i Tetovës, duke na u krijuar hapësirë dhe mundësi që për këto katër vjet të realizojmë praktikë në vende jashtë Maqedonisë së Veriut, duke na mundësuar që të kemi përballë inovacionet më të reja, literaturë bashkëkohore, po ashtu motivim për të marrë pjesë në konferenca dhe trajnime të ndryshme që janë në hap me kohën, si dhe risitë që sjell zhvillimi tekniko-shkencor, përfshi digjitalizimin e Universitetit që lehtëson punën e studentëve dhe stafit akademik dhe kjo është për t’u përshëndetur”, nënvijëzoi Fatbardha Zendeli.

Ndërkaq, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti theksoi se Universitetit tonë, sot po i shtohet një gjeneratë e re absolventësh, të cilët këtë vit i përfundojnë studimet në trembëdhjetë fakultetet dhe në dhjetëra programet studimore, nga të cilat ne si udhëheqësi, Ju si prindër dhe mbarë shoqëria, pret me shpresë të madhe kuadrin e ardhshëm.

“Me qindra absolventë të shkencave të inxhinierisë dhe teknologjisë, shkencave sociale, humane dhe të arteve, shkencave mjekësore dhe atyre natyrore, i përmbyllin studimet dhe së bashku sot festojmë suksesin e arritur me shumë mund dhe sakrifica, ndaj unë dua të përgëzoj gjithsecilin prej tyre. Dua t’i shpreh falënderimet më të përzemërta kontribuuesve të vërtetë në formësimin e suksesit tuaj: prindërit, familjarët, të afërmit, miqtë, profesorët e kolegët, të cilët kanë besuar në aftësitë tuaja duke ju dhënë shtysë për të ecur përpara, duke ju këshilluar e mbështetur, madje duke shërbyer edhe si shembull për t’u ndjekur. Kjo mbështetje ka shërbyer si themel mbi të cilin i keni ndërtuar ëndrrat dhe qëllimet që i keni përcaktuar vetes”, deklaroi Rektori i UT-së. Ai, po ashtu shtoi se, në këtë ditë simbolike të përmbylljes me sukses të këtij cikli jetësor, mbani mend se Ju jeni shpresa dhe e ardhmja e këtij populli, që i keni dhënë jetë këtij Universiteti, madje edhe nesër kur t’i vendosni në zbatim dijet tuaja që i keni fituar përgjatë studimeve, nderojeni veten tuaj, familjen dhe këtë tempull të dijes, duke kryer vepra të mira, në shërbim të shoqërisë dhe njerëzimit.

“Ju gjithmonë do të jeni zëri ynë që do të depërtojë në arsyen e gjeneratave të reja, duke kultivuar dijen dhe duke mbjellë dashurinë ndaj saj. Ju do të jeni ata që do të na bëni të jemi më të suksesshëm sepse suksesi i një universiteti matet me arritjet e studentëve të tij. Ju ambasadorët më të mirë të Universitetit, asnjëherë mos e harroni sesi filloi të frymojë ky tempull i dijes, ndaj me krenari prezantojeni dhe ngriteni zërin lartë, edhe përtej kufijve të vendit tonë, duke qenë konkurrues të denjë përkrah kolegëve Tuaj nga universitetet tjera të vendit, rajonit dhe më gjerë, për t’u bërë ballë sfidave të shoqërisë moderne”, tha Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Rektori i UT-së u shpreh se me përjetimet e kësaj dite të rëndësishme janë ndërthurur edhe emocionet dhe ndjenjat e sakrificës së gjeneratave të para të studentëve, të cilët nuk kishin rastin të festojnë në mënyrë solemne, ndaj ata simbolikisht i bashkojnë duart dhe gëzimi e përjetimi i juaj bëhet edhe i tyre. Sipas tij, puna dhe sakrifica e gjeneratave të mëparshme të profesorëve dhe studentëve të këtij Universiteti po shndërrohet në fat e lumturi për ta dhe brezat që do të vinë më pas.

Programi i absolventiadës së këtij viti përfundoi me pjesën artistike të realizuar nga Bajramali idrizi dhe Shpëtim Mustafa. Organizimi tashmë i përvitshëm i ceremonisë së diplomimit të absolventëve tanë dëshmon për kontributin e një pune të përbashkët që zhvillohet me sukses nga studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tetovës, i cili u ngrit në këtë piedestal, mbi rezistencën dhe sakrificën e kombit shqiptar, gjakun e dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Eminit dhe kontributin jetik të themeluesve me në krye Prof. Dr. Fadil Sulejmanin.

Zyra për informim