Në Universitetin e Tetovës, sot qëndroi për vizitë pune Prof. Dr. Judithanne Scourfiled Mclauchlan, profesoreshë e asociuar e shkencave politike në Universitetin e South Florida St. Petersburg. Ajo ishte e shoqëruar nga Rektori i UBT-së Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Drejtori i Open Gov Hub Albania dhe Mr. Sc. Blerton Zejneli, përfaqësues i shoqërisë civile me fokus bashkëpunimin rajonal ekonomik.

Në Universitetin e Tetovës ky delegacion u prit nga Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar Prof. Dr. Shefik Shehu dhe drejtoresha e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, Mr. Sc. Donika Kamberi.

Në këtë takim pune u diskutua për veprimtarinë arsimore-shkencore që e zhvillon Universiteti i Tetovës, projektet kërkimore-shkencore, bashkëpunimin ndëruniversitar me universitetet nga vendi dhe më gjerë. 

Drejtuesit e Universitetit të Tetovës e njoftuan delegacionin për ecurinë e Universitetit dhe urat e bashkëpunimit, në vazhdën e bisedës bashkëbiseduesit në këtë takim diskutuan për shumë tema që kanë të bëjnë kryesisht me bashkëpunimin e ndërsjellë, si pjesëmarrje në projekte të përbashkëta arsimore dhe shkencore, shkëmbimin e studentëve dhe profesorëve përmes programeve të ndryshme për mobilitet, organizimin e aktiviteteve të ndryshme, si dhe mundësi të tjera për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.

Mes tjerash, Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, në emër të Universitetit dhe gjithë stafit akademik e administrativ e falënderoj profesoreshën për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin e saj për Universitetin e Tetovës, përmes programit Fullbright.

Në shenjë mirënjohjeje, Rektori i UT-së ia dhuroi Prof. Dr. Judithanne Scourfiled Mclauchlan pllakatën e Rektorit historik Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, ndërkaq Kryetari i Senatit ia dhuroi Monografinë e Universitetit të Tetovës.

Vizita pritet që t’u hapë rrugë edhe shumë projekteve të tjera me interes të përbashkët.