Në Universitetin e Tetovës, sot edhe zyrtarisht filloi afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2023/24. Kandidatë nga qytete të ndryshme të vendit tonë, nga Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë dhe rajoni, sot në ambientet e Universitetit tonë kanë aplikuar për të studiuar në programe të ndryshme studimore, të cilët i ofrojnë 13 njësitë akademike të Universitetit të Tetovës.
Kandidatët gjatë procesit të aplikimit i ka vizituar Rektori i Universitetit tonë, Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Ai i përgëzoi ata për përzgjedhjen që kanë bërë, që studimet e tyre t’i ndjekin në Universitetin e Tetovës. Ai më tej, në bisedë e sipër me kandidatët, potencoi se Universiteti ynë i kushton rëndësi të veçantë procesit të regjistrimit, me qëllim lehtësimin e procedurave për aplikim, duke angazhuar të gjitha shërbimet për të ndihmuar në këtë proces.
Po ashtu, ai tha se edhe këtë vit synojmë që të realizohen pritshmëritë tona dhe pas përfundimit të regjistrimit të fillojmë me aktivitetet e parapara në kalendarin akademik 2023/24.
Kandidatët shprehën falënderime ndaj rektorit për përkujdesjen dhe interesimin që tregoi ndaj tyre, me shpresë se edhe gjatë viteve të studimeve interesimi për ato nuk do të mungojë nga ana e drejtuesve të Universitetit.
Afati i parë i regjistrimit në UT do të vazhdojë deri më 1 shtator 2023.
Zyra për informim