Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Saliu, së bashku me dekanin e Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmanin, si dhe Prof. Dr. Izmit Durmishin, e pritën në një takim pune drejtorin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ardian Musliun, si dhe bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë këtij takimi, ata folën për thellimin e bashkëpunimit mbi bazën e memorandumit të nënshkruar mes këtyre dy institucioneve. Dekani i Fakultetit Filologjik i njoftoi përfaqësuesit e AZGJ-së për akreditimin e programit të ri studimor Redaktim gjuhësor, në ciklin e dytë të studimeve. Ai tha se nëpërmjet këtij programi studimor të gjithë punonjësit e AZGJ-së, si dhe institucioneve të tjera, do të kenë mundësi të thellohen në studime të specializuara në fushën e redaktimit.
Ndërsa, drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ardian Musliu shprehu mirënjohjen e tij për Universitetin e Tetovës, duke theksuar që kanë pasur marrëveshje me këtë institucion që nga themelimi i AZGJ-së. Sipas tij, program i ri studimor në fushën e Redaktimit gjuhësor do t’i zbusë mangësitë institucionale të mungesës së lektorëve të certifikuar. Ai tha se, po hasin në një mungesë të madhe në tregun e punës për lektorë dhe përkthyes gjuhësorë dhe ky program studimor do t’i mbulojë të gjitha këto mangësi. Po ashtu, drejtori Ardian Musliu shprehu gatishmërinë e tij për të mirëpritur në AZGJ për punë praktike të gjithë studentët e këtij program studimor.
Zyra për informim