Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës në RMV organizoi konferencën shkencore me temë “Agjencia deri tani ka përkthyer dhe lekturuar 100.000 faqe”. Në këtë organizim morën pjesë Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihu dhe Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihu theksoi se përkthyesi i mirë e njeh edhe gjuhën e simboleve, gjuhën e ëndrrës, gjuhën e harruar. Ai zhytet brenda qenies njerëzore, brenda një kulture, qytetërimi, historie, psikologjie.
”Ai depërton në përmasa të padukshme e të panjohura falë dhuntisë dhe kulturës së tij. Ai zbulon thesaret që një gjuhë ia fsheh një gjuhe tjetër, që një kulturë ia fsheh kulturës tjetër, që një qytetërim ia fsheh një qytetërimi tjetër. Për përkthyesin çdo gjuhë është e vlefshme dhe pasuri e njerëzimit. Ta duash gjuhën tënde nuk është kusht që ta urresh një gjuhë tjetër. Sipas Çarls Tejlorit, secili komb ka të drejtë të besojë se kultura dhe gjuha e tij është e vlefshme. Ata që janë kundër një gjuhe, vuajnë nga ksenofobia. Ksenofobët e dëmtojmë, në rend të parë, kulturën e tyre”- deklaroi Prof. Dr. Salajdin Salihu.
Duke iu referuar gjuhës shqipe, ai shtoi se gjuha jonë është shtylla kryesore e identitetit. “Kjo gjuhë kulture ka fuqi të madhe shprehëse. Këtë na dëshmojnë përkthyesit, të cilët e pasuruan sistemin tonë kulturor me kryevepra të artit e të filozofisë botërore. Edhe kultura shqiptare u dha vlera të përjetshme sistemeve të tjera kulturore. Edhe me ndihmën e përkthyesve.
Për përkthyesit gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe mirëkuptimi. Dhe nëse përkthyesit e mirë janë gjuhëpasurues, përkthyesit e dobët dhe të papërgjegjshëm e kthejnë diamantin në karbon. Ndërkaq, ata që ankohen se gjuha shqipe s’ua mundëson t’i shprehin mendimet e tyre, nuk e kuptojnë se faji nuk qëndron te gjuha shqipe, por tek ata që s’e njohin këtë gjuhë”, theksoi ndër të tjera, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihu.
Ndërsa, Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani e paraqiti kumtesën me titull: “Rëndësia e përkthimeve të veprave letrare në Maqedoninë e Veriut sot”. Ai theksoi se shoqëria jonë sot punën e përkthyesit, për fat të keq, nuk e konsideron punë. Madje, shpesh e marrin guximin dhe u thonë përkthyesve: E, çfarë bën ti? Mjafton që fjalën e huaj ta vendosësh në “google translate” dhe të fitosh para, ose mjafton që fjalës ‘book’ t’i thuash ‘libër’ e anasjelltas e të fitosh para. Por, përkthyesi i vërtetë, nuk e ka të ndarë natën me ditën. Ndodh në një kohë të ditës ulet në karrige, dhe tek pas një kohe të gjatë e vëren se është duke lindur dita e së nesërmes. Ai nuk e ka gajlen e veshjes e as të uniformës zyrtare. Sipas dëshirës, punën e përkthyesit mund ta bësh edhe me pizhame, madje edhe në këmishë. As punëdhënësi nuk të rri mbi kokë, e as që ke nevojë shefit t’i japësh llogari, sepse ty (përkthyesit) të intereson vetëm të kryhet puna ashtu siç duhet dhe me kohë. Këtë më së mirë na e dëshmon Fan Noli, i cili nuk e ka hedhur në letër një ngjarje që e ka jetuar vetë drejtpërsëdrejti, por çka ka lexuar të shkruar tashmë nga Shekspiri. Kemi krijim në rrafshin gjuhësor, meqenëse Shekspiri nuk e ka shkruar “Hamletin”, për shembull, në gjuhën shqipe, por në atë angleze; në gjuhën shqipe atë e ka shkruar Fan Noli; domethënë se në shqipe atë e ka shkruar Noli. Për ta ilustruar këtë, mund ta krahasojmë përkthyesin me skulptorin; ky, kur gdhend, ka zakonisht një model para syve, këtë model nuk e ka krijuar ai, atë ai vetëm do ta rikrijojë, sigurisht sipas mënyrës së vet, duke e përvetësuar artistikisht, në një lëndë tjetër, e cila do t’i bindet frymëzimit të tij.
Në fund të kumtesës së tij, dekani i F. Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani, theksoi se roli i përkthyesve shqiptarë ka qenë, është dhe do të jetë shumë i rëndësishëm, sepse, ata, sidomos në epokën e teknologjisë japin ndihmesë edhe në krijimin e fjalëve të reja, si: teze = motërmë, hallë = motëratë, bukëthekëse (për “tosterin” që shërben për të thekur bukën) etj.
Shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit u përmbyll me diskutime për rëndësinë e përkthimit si veprimtari intelektuale që mundëson komunikimin jo vetëm midis institucioneve, por edhe midis vetë qytetarëve të RMV-së.
Zyra për informim