Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, së bashku me Prorektorin për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihu, Prodekanin për shkencë në Fakultetin Filozofik, Prof. Dr. Musa Musai, dhe përgjegjësen e Zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar, Doc. Dr. Hatibe Deari-Zeqiri, realizuan takim pune me drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Skender Asanin, i shoqëruar nga anëtarët e Këshillit të ITSHKSH-së, Dr. Sefer Tahiri, Dr. Zeqirja Ibrahimi dhe Dr. Besnik Rameti.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte nënshkrimi i memorandumit që përfshin bashkëpunimin midis dy institucioneve në ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e gjuhës, letërsisë, kulturës, traditës dhe vlerave tona të përbashkëta. Palët u pajtuan që përmes këtij memorandumi të realizohet organizimi i takimeve shkencore, arsimore dhe kulturore. Po ashtu parashihen edhe mbajtja e ligjëratave nga specialistë të gjuhës, letërsisë, kulturës, historisë, arkeologjisë, trashëgimisë kulturore, etj.
Pikë tjetër e rëndësishme e këtij memorandumi është edhe krijimi dhe akreditimi i programeve të përbashkëta studimore të shkallës së dytë dhe të tretë, në fushën e shkencave albanologjike, historike dhe kulturologjike. Gjithashtu, vend të posaçëm zënë edhe projektet e përbashkëta shkencore në fushat studimore albanologjike, në veçanti projekti për shkrimin e historisë së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Përveç pikave të lartpërmendura, ky memorandum përfshin edhe vizita të ndërsjella të stafit akademik dhe të studentëve; shkëmbim të botimeve në mes të dy institucioneve; promovim librash dhe aktivitete tjera akademike, shkencore e kulturore me interes të ndërsjellë.