Në sheshin e Rektoratit të Universitetit të Tetovës, me sukses i përmbylli punimet “Java e veçantë studimore”, aktivitet ky që u organizua nga Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Shoqatën “Arsimi” nga Zvicra. Tema e këtij viti ishte: “Biodiversiteti dhe diversiteti kulturor – Diversiteti si metodë hulumtimi e reflektimi”. Me këtë rast, të premten (6.10.2023) në panairin që u organizua në oborrin e Rektoratit të Universitetit të Tetovës, 10 vendbanimet e Malësisë së Sharrit që ishin objekt studimi e prezantuan punën e bërë përgjatë Javës së veçantë studimore. Ata i paraqitën ushqimet dhe veshjet tradicionale, historikun e fshatrave, këngët folklorike, instrumentet muzikore, personalitet e shquara etj., duke e shfaqur në pah diversitetin dhe ngjashmëritë mes tyre.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, në emër të Universitetit të Tetovës i falënderoi dhe i përgëzoi për punën e bërë të gjithë organizatorët e Javës së veçantë studimore”, sidomos stafin e Fakultetit Pedagogjik, shoqatën nga Zvicra “Arsimi” dhe filantropin, njëherit pronarin e kompanisë Ecolog, Lazim Destanin. “Përmes javës së veçantë studentore pasqyrohet një vlerë e begati e veçantë. Të respektuar qytetarë, banorë të viseve, trojeve të ndryshme, është kënaqësi që sot në hapësirat e Universitetit tonë prezantohen vlerat, diversitetet, ngjashmëritë, dallimet të cilat na bëjnë që të jemi edhe më afër njëri-tjetrit. Besoj se të gjithë e keni vërejtur se në disa hapësira prezantoheshin ushqime të ndryshme, veshje, tradita, kulturë, personalitete të cilët kanë sakrifikuar shumë, por besoj se të gjithëve na ka ra në sy edhe prezantimi i djepit, që është një simbol jashtëzakonisht i rëndësishëm, që nënkupton se shumica nga ne, jemi rritur në atë djep. Është një simbol i sakrificës, i të gjitha nënave të cilat kanë lindur dhe rritur djem dhe vajza, të cilët sot ju dalin zot shumë proceseve dhe natyrisht duke i prirë edhe sferës së arsimit, duke i ruajtur dhe kultivuar të gjithë këto vlera dhe tradita të jashtëzakonshme”, tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Pronari i kompanisë “Ecolog”, Lazim Destani theksoi se është nder dhe kënaqësi që ishte i pranishëm në mesin tonë, duke i përshëndetur posaçërisht studentët, të cilët i cilëson si ardhmëria e popullit tonë. “Pak më parë, me rektorin dhe një pjesë të udhëheqësisë së Universitetit e bëmë një lëvizje dhe na i prezantuan të gjithë fshatrat, vlerat e kulturës së tyre që e kanë paraqitur në këtë panair. Në disa vende ndalova dhe mendoja se me shumë nga ta edhe jemi rritur bashkë. Ishte një kënaqësi, një nder që sot ndodhem këtu me ju në Universitetin e Tetovës “Fadil Sulejmani”, u shpreh pronari i kompanisë “Ecolog”, filantropi Lazim Destani.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, në fjalën e tij foli për tiparet e fshatrave të Malësisë dhe diversitetin që e hasën përgjatë këtij rrugëtimi. “Ne gjatë kësaj periudhe harxhuam shumë energji, por ia vlente, sepse përfitues të kësaj janë studentët, përfitues të kësaj janë të gjitha ata pjesëtarë të grupeve të punës me të cilët ne ditëve të fundit jemi familjarizuar, jemi miqësuar, kemi kaluar çaste jashtëzakonisht të mira së bashku për çka u jam mirënjohës. Mikpritja e tyre dëshmohej. Unë do të veçoj një mikpritje që na u bë në Brodec, me mikpritjen shqiptare, bukë, kripë dhe zemër. Por, jo vetëm Brodeci, të gjitha fshatrat kishin të veçantat dhe specifikat e veta, të cilat sot, në këtë ditë i promovojnë. Të gjithë fshatrat na pritën dhe mirëpritën dhe kjo për mua ishte edhe një përvojë, kjo për ne do të thotë se ne si Fakultet Pedagogjik, ne si Universitet i Tetovës gjithmonë jemi me dyer të hapura për të bashkëpunuar dhe për të rritur imazhin e vetë Universitetit të Tetovës, i cili lindi po nga ju dhe të cilin e rritni po ju. Ne, përveç që jemi Universitet, kemi edhe vlera që burojnë nga populli dhe këto vlera, këtë diversitet ne sot e sollëm nga Malësia këtu, por jo vetëm nga Malësia, pasi ne kishim prezantime të mrekullueshme të studentëve tanë nga të gjitha vendbanimet prej nga na vijnë ato, për çka unë u jam mirënjohës dhe falënderues”, nënvizoi mes tjerash dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Ky aktivitet ishte i pasuruar edhe nga ana artistike dhe argëtuese. Me pikat e tyre muzikore skenën e Universitetit të Tetovës e pasuruan grupi i studentëve të Fakultetit të Arteve, këngëtarja Elita Ziberi me grupin e saj, grupi muzikor nga Xherma, si dhe vëllezërit Sejdiu nga Bozovca.
Studimi i biodiversitetit dhe diversitetit kulturor është i rëndësishëm për të zgjeruar kuptimin për dallimet dhe karakteristikat, dhe njëkohësisht për të kuptuar respektin, tolerancën dhe ndërveprimin në shoqëri.