Në Universitetin e Tetovës sot u promovua libri “Ëndrra amerikane – Një histori e jashtëzakonshme e Beqir Potkës, nga ferri komunist drejt tokës së premtuar”. Në parathënien e këtij librit thuhet se ky botim rrëfen agoninë dhe ringjalljen e protagonistit, rininë e përjetuar nën diktaturë, momentet e arratisjes prej Ferrit të Evropës, Shqipërisë komuniste, vendit më të izoluar të botës deri në rënien e murit të Berlinit, pastaj qëndrimin në tokën e ndërmjetme, në Purgatorin grek të kampit me të arratisur politikë nga të gjitha vendet e Evropës në Greqi, e më tej shtegtimin, por edhe ringjalljen shpirtërore, fizike dhe morale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani në fjalën e tij u shpreh se ky libër nuk është vetëm historia e një individi, e të vdekurit të gjallë të Beqir Potkës, që u arratis në kohën e pushkatimeve dhe telave me gjemba, por është dëshmia e mijëra jetëve që për hir të lirisë guxuan dhe sfiduan të pamundurën. “ Kjo histori mbresëlënëse, me sakrifica të pakrahasueshme për nga dimensioni i guximit dhe besimit e shkruar me mjeshtëri nga shkrimtari e kolegu ynë, Eris Rusi, përfshin edhe periudhën kur Beqir Potka shkel për herë të parë në tokën amerikane, të cilit i dukej sikur ka kaluar nëpër ëndërr shtegtimi që në një moment i palëkundur i thotë vetes: Beqir Potka, je nga të vetmit që u mbijetove telave me gjemba, u arratis nga Shqipëria si një i vdekur i gjallë! Tani është koha e të vërtetës së madhe: Ndërtoje jetën tënde dhe jeto. Është nder i veçantë edhe për Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës, i cili krahas punës arsimore e shkencore që e kryen në të tri ciklet e studimeve, stafi akademik prore ka mbështetur dhe do të mbështes autorët e shkrimtarët”, tha mes tjerash dekani i Fakultetit Filologjik, Prof.Dr. Berton Sulejmani.
Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihu tha se libri “Ëndrra amerikane” flet mbi vullnetin e pashoq të njeriut kundër robërisë. “Është libër për Beqir Potkën, sot biznesmen i suksesshëm në Shtetet e Bashkuara, i cili e dalloi regjimin nga atdheu. Sepse regjimet janë kalimtare, kurse atdheu është i përhershëm. Është libër për “një djalë nga Lavdari, që e shtroi me qilima krejt Amerikën”, i cili “nuk e asfiksoi jetën që mund ta ndriçonte”, siç thotë Sabato. Nikolai Berdayev-i njihte tri struktura mendore: të padronit, robit dhe të njeriut të lirë. Padroni dhe robi nuk janë të lirë dhe nuk mund të jetojnë pa njëri-tjetrin. Ata janë në ndërvarësi të përhershme. Njeriu i lirë nuk i ngjan asnjërit. Ai nuk është as padron (sepse nuk dëshiron t’i sundojë të tjerët) dhe as rob (sepse nuk dëshiron të sundohet). Potka bën pjesë në mesin e njerëzve të lirë,i cili me shembullin e tij dëshmon se rruga drejt Olimpit të suksesit është rrugë me gjemba”, theksoi Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihu.
Autori i librit, Eris Rusi u shpreh se ky libër është një përshkrim historie të jashtëzakonshme të rrugëtimit, të shtegtimit të zotit Beqir Potka, nga ferri komunist drejt ëndrrës amerikane. “Jeta e zotit Potka është një jetë e cila del përtej kufirit të individuales. Ai ka dëshmuar që falë guximit dhe një domosdoshmërie për të rilindur në tokë të lirë. Njeriu mund të arratiset edhe nga telat me gjemba, mund te arratiset edhe nga ferri komunist edhe të jetojë, i lirë duke mishëruar idealin që pastaj mund te jenë ilustrime për jetën e të rinjve. Veprimtaria sot bëhet në vazhdën e një sërë veprimtarish të tjera që ne kemi organizuar për prezantimin e librit. Libri ka një frymëmarrje të madhe sepse arrin të tërheq të gjithë ata lexues të cilët jo vetëm lidhen pas shtegtimit dhe peripecive dhe sukseseve të zotit Potka, por përfytyrojnë që edhe jeta e tyre është një jetë e cila s’ka pse të ketë kufizime. Tanimë ky libër është përkthyer në gjuhën angleze, do të botohet edhe në SHBA, aty ku zoti Potka ushtron veprimtarinë e tij profesionale dhe besoj se një libër i cili do të flas ndërkombëtarisht, do të jetë edhe një provë e mirë për të treguar që edhe lexuesit e huaj mund të pasionohen pas historive të jashtëzakonshme si ajo e zotit Potka”, tha autori i librit, Eris Rusi.
Vetë protagonisti i këtij libri, Beqir Potka, theksoi së është privilegj që vjen në Universitetin e Tetovës, pasi të gjitha trojet shqiptare e kanë mbështetur librin “American Dream”, dhe ndjehet shumë i kënaqur që edhe Universiteti i Tetovës i bëri një ftesë që të vij këtu. “Besoj se ky libër do të jetë shumë i devotshëm për studentët dhe për të gjithë shqiptarët që në qoftë se ti beson te perëndia, beson te vetvetja as telat elektrikë, as plumbat nuk të ndalojnë të bëhesh ai që duhet të bëhesh, dhe pas kësaj, pasi realizon diçka, duhet t’i shërbesh popullit, shoqërisë, që të jemi bashkë për një kauzë më të mirë. Libri përbrenda ka një histori shumë të veçantë dhe ka marrë një jehonë shumë të madhe dhe ka një motivim, ka historinë se si katër breza dhe dy breza të torturuara nga sistemi komunist dhe duhej të bëhej libër, që të tregohej se si një njeri i vdekur po ringjallet mund t’ia arrijë qëllimit dhe të arrin që të shkruhet historia që njerëzit të inkurajohen, të dinë që gjithmonë një ëndërr realizohet në qoftë se ti beson te perëndia dhe vetvetja”, u shpreh vetë protagonisti i librit, Beqir Potka.
Ky libër është jo vetëm historia individuale e një njeriu, por ilustrim i shpirtit, që arrin të sfidojë të pamundurën, të kërkojë dritën dhe të gjejë shtegun e shpëtimit, përmes këmbënguljes dhe guximit për të sfiduar gjithçka që del përpara si pengesë.
Zyra për informim