Në Universitetin e Tetovës i filloi punimet Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve. Gjatë dy ditëve në vazhdim në auditorët e Universitetit tonë më shumë se 250 punonjës shkencorë do të prezantojnë ide, koncepte e zgjidhje të reja dhe inovative për problemet sociale, që vijnë si rezultat i kompleksitetit të epokës që e jetojmë.
Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, nisur nga kjo bëri një parantezë të ngjarjes duke shtuar se, në Universitetin e Tetovës i vlerësojmë idetë dhe qëndrimet që e orientojnë dhe i japin kahe shoqërisë, sepse besojmë fort se universitetet janë busulla orientuese e shoqërive, prandaj, në këtë Kongres kemi një bashkekzistencë plurale konferencash, që qëndrojnë në vijë logjike njëra me tjetrën. “Konferenca IX Shkencore Ndërkombëtare e Fakultetit Ekonomik – “Rritja ekonomike në kushtet e pasigurisë”, ofron një hapësirë jetike për ekonomistët, politikëbërësit dhe drejtuesit e biznesit për të shkëmbyer njohuri mbi lundrimin në kompleksitetin e peizazhit të sotëm ekonomik. Konferenca VIII Shkencore Ndërkombëtare e Fakultetit Juridik, me temë “Në drejtimin e sfidave të reja: Ballkani Perëndimor në udhëkryqin e integrimeve në BE”, eksploron çështjet kritike me të cilat përballet Ballkani Perëndimor në rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Konferenca VIII Shkencore Ndërkombëtare e Fakultetit Filozofik, me temë “Çështjet socio-kulturore: Qasjet dhe mundësitë në të kaluarën dhe sot”, thellohet në ndërlikimet e trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore, duke ofruar një platformë për të diskutuar sfidat dhe mundësitë që formojnë shoqëritë me kalimin e kohës. Konferenca VIII Shkencore Ndërkombëtare e Fakultetit Filologjik, me temë “Filologjia dje, sot dhe nesër” i fton gjuhëtarët, studiuesit e letërsisë dhe entuziastët e gjuhës që të reflektojnë në zhvillimin e studimeve gjuhësore dhe analizave letrare, duke siguruar ruajtjen dhe avancimin e trashëgimisë sonë letrare, gjuhësore e kulturore. Konferenca IV Shkencore Ndërkombëtare e Fakultetit Pedagogjik, me temë “Arsimi me Qasje Transformuese”, hulumton metoda novatore që formësojnë të ardhmen e arsimit, duke siguruar që institucionet tona të mbeten në ballë të përparimeve pedagogjike”, tha Prof. Dr. Agon Memeti.
Ai mes tjerash tha se, këtë Kongres e bën të suksesshëm dhe sfidues fakti se në këtë ngjarje shkencore ka pjesëmarrës nga 28 universitete dhe institucione partnere, si rezultat i një punë të madhe ekipore bashkë me fakultetet përkatëse. Sipas Prof. Dr. Agon Memetit, ky sukses i madh në arenën ndërkombëtare, për hir të së vërtetës, vjen si pasojë e veprimtarisë shkencore që në dhjetëvjeçarin e fundit ka qenë mjaft e frytshme dhe ku Universiteti ynë ka qenë djep i rritjes dhe i përparimit intelektual, duke nxitur një mjedis që e ka si prioritet kuriozitetin, kreativitetin dhe bashkëpunimin. Ky tubim nuk është vetëm takim mendjesh të ndritura, por edhe një festë e ndjekjes pa pushim të së vërtetës dhe frymës së paepur të kërkimit që i përcakton përpjekjet tona akademike, duke numëruar gjithsej 272 abstrakte me gjithsej 382 autorë dhe bashkautorë.
Në hapjen solemne të këtij kongresi u zhvilluan edhe tri ligjërata profesionale nga Prof. Dr. Eric Juno nga Universiteti i Ilinoisit Verior nga SHBA, Prof. Dr. Jože Damijan nga Universiteti i Lubjanës në Slloveni dhe Prof. Dr. Ivan Koprić nga Universiteti i Zagrebit në Kroaci. Po ashtu, në këtë kongres u bë edhe promovimi i numrave të ri të revistave shkencore që botohen nga fakultetet përkatëse të cilat janë edhe organizatorë të kësaj ngjarje.
Zyra për informim