Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli i shoqëruar nga dekani i Fakultetit Pedagogjik Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, prej 23-25 nëntor 2023 morën pjesë në Forumin Evropian të Sigurimit të Cilësisë 2023 në temë: “Ndërkombëtarizimi në një botë në ndryshim. Tendencat dhe sfidat e reja për sigurimin e cilësisë”, organizuar nga Universiteti i Aveiros së Portugalisë. Forumi Evropian i Sigurimit të Cilësisë (ENQA) ofron një platformë për diskutim, zhvillim profesional dhe shkëmbim përvojash midis palëve kryesore të interesit në sigurimin e cilësisë. Forumi i këtij viti kombinoi sesione rreth politikave dhe tendencave evropiane, kërkime dhe shembuj praktikë të rasteve në lidhje me temën e Forumit, si dhe në përgjithësi rreth zhvillimeve aktuale në sigurimin e cilësisë.
Në Forum u theksua se viteve të fundit lëvizshmëria e studentëve dhe personelit akademik midis vendeve është rritur, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe shteteve është intensifikuar dhe në përgjithësi është rritur edhe shkëmbimi transnacional i praktikave të mira në të nxënit, në mësimdhënien dhe në kërkimin shkencor. Si brenda ashtu edhe jashtë Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë, ndërkombëtarizimi sjell mundësi dhe sfida për sigurimin e cilësisë. Këto variojnë nga urgjenca e zhvillimit të qasjeve të reja dhe fleksible për diploma të përbashkëta transnacionale deri te nevoja për të mundësuar dhe mbështetur marrëveshje më intensive bashkëpunimi midis sistemeve shumë të ndryshme të arsimit të lartë, si dhe adresimit të formave të reja të arsimit të lartë dhe lëvizshmërisë, të tilla si mikrokredencialet ose forma të ndryshme të lëvizshmërisë virtuale.
Përmes sesioneve plenare, punëtorive dhe prezantimeve të praktikave pozitive, Forumi eksploroi politikat dhe praktikat e Sigurimit të Cilësisë, diskutoi ndërkombëtarizimin në shkallë globale, si dhe hyrjen në Kornizën Evropiane të Sigurimit të Cilësisë e cila ofron një hyrje në kuadrin e sigurimit të cilësisë në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë.
Pjesëmarrësit kishin mundësinë të marrin pjesë edhe në sesionet paralele të cilat prezantuan projekte ose iniciativa të ndryshme si: “Sigurimi i cilësisë në auditorin e Aleancave Universitare Evropiane, format e reja të mobilitetit dhe ndërkombëtarizimit të studentëve – sfidat për sigurimin e cilësisë” dhe “Roli qendror i Sigurimit të Cilësisë në bashkëpunim përtej Evropës”.
Forumi mbylli punimet me seancën plenare në temë: “E ardhmja (e ndritur) e sigurimit evropian të cilësisë”, ku u diskutua e ardhmja e Kornizës Evropiane të Sigurimit të Cilësisë, si dhe rëndësia e saj për bashkëpunimin evropian dhe global në arsimin e lartë.
Në vigjilje të Forumit, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli takoi edhe Josep Garell – kryetar i Shoqatës së Universiteteve Europiane (EUA), Maria Kelo – drejtoreshë e Njësisë për Zhvillim Institucional të Shoqatës së Universiteteve Europiane (EUA), Anna Gover – drejtoreshë e ENQA-së, si dhe rektorin e Universitetit të Averios Prof. Dr. Paulo Jorge Ferreira, të cilit në shenjë të thellimit të bashkëpunimit i dhuroi pllakatin e Nënë Terezës. Takimi i radhës i Forumin Evropian të Sigurimit të Cilësisë (ENQA), do të mbahet në vitin e ardhshëm.