Në Universitetin e Tetovës, përkatësisht në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, profesoresha nga Programi Fullbright i Ambasadës Amerikane në RMV, gjegjësisht nga Universiteti i Ohajos në SHBA, Lorraine S.Wallace, mbajti një ligjëratë, me temë “Përgjegjshmëria për shëndetin: “Çfarë thua ti”, “Çfarë dëgjojnë ata”. Profesoresha Wallace, e cila ishte e shoqëruar nga koordinatori i programeve arsimore ndërkombëtare në Ambasadën e SHBA-ve, Gazmend Ilazi, paraprakisht realizoi një takim me dekanin e FTUU -së, Prof. Dr. Xhezair Idrizi.
Ligjërata e profesoreshës Lorraine S.Wallace, solli hollësi për definicionet e ndryshme të përgjegjshmërisë së shëndetit dhe rëndësia që ka qasja e duhur rreth kësaj problematike Sipas saj, qasja e kufizuar e përgjegjshmërisë së shëndetit na çon në njohuri të ulëta lidhur me shëndetin, sjellje më pak të shëndetshme, rezultate më të dobëta shëndetësore dhe kosto më të larta. Ajo po ashtu theksoi se faktori i rrezikut ndikon në arsimimin e kufizuar shëndetësor dhe si rrjedhojë kjo sjell arritje të ulëta arsimore, status të ulët socio-ekonomik, probleme të sistemit të kujdesit shëndetësor, qasje të kufizuar për informacione dhe probleme kronike shëndetësore.
Ligjërata u përmbyll me një bashkëbisedim midis studentëve dhe profesoreshës për çështje që paraqesin sfidë për shëndetin e shoqërisë në tërësi.
Zyra për informim