Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës dhe Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar nënshkruan memorandum bashkëpunimi. Ky bashkëpunim mes palëve u arrit për realizimin e projektit Promovimi i mjedisit të sigurt shkollor, i cili mbështetet nga Fondacioni për fëmijë Pestaloci.
Sipas memorandumit të firmosur nga Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Maqedonase për Edukim Qytetar, Besnik Ramadani, projekti ka për qëllim dhënien e kontributit nga të dyja palët në realizimin e të drejtës së fëmijëve për arsim cilësor, në mjedis shkollor të sigurt dhe pjesëmarrës në 26 shkolla fillore dhe 24 shkolla të mesme. Studentët do të mësojnë për mbrojtjen nga dhuna ndaj fëmijëve, njohjen dhe luftën kundër formave të ndryshme të dhunës, komunikimin pa dhunë, zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe praktikojnë njohuritë e marra në mësimdhënien praktike sipas programeve të rishikuara në lëndë të caktuara.
Në kuadër të këtij memorandumi parashihen që të realizohen edhe një sërë aktivitetesh si: Organizim i dy punëtorive për profesorë (4 – 6 profesorë) për analizë të kurrikulave aktuale dhe përcaktim të mundësive për inkorporimin e përmbajtjeve të reja në lëndët përkatëse, kurrikulat e të cilave kanë përmbajtje të lidhur me qëllimin e projektit. Zhvillim të një moduli mësimor (nga një ekip ekspertësh) për mbrojtje nga dhuna ndaj fëmijëve (njohja dhe lufta kundër formave të ndryshme të dhunës, komunikimi jo i dhunshëm, zgjidhja paqësore e konflikteve). Miratimi i modulit në kuadër të fakultetit. Ekipi i projektit do të bashkëpunojë me udhëheqësinë e fakultetit për të miratuar modulin në mënyrë që ta integrojë atë në kurrikulat aktuale. Zbatimi i modulit në kuadër të kurrikulave të rregullta. Mbështetje e mësimdhënies praktike të studentëve për të zbatuar njohuritë dhe aftësitë përmes praktikës në shkolla dhe organizata joqeveritare. Mbështetje përmes granteve që mund të përdoren për lloje të ndryshme nismash studentore, kërkime akademike nga profesorët, etj. Do të ndahen gjithsej 3 grante, secili në vlerë prej 180.000 MKD. Grantet do të sigurohen përmes një thirrjeje të hapur.
Zyra për informim