Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i shoqëruar nga kryetari i Sindikatës së punonjësve, Prof. Dr. Shefket Dehari dhe nënkryetari Ali Salihi, sot u takuan me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferin, lidhur me zhvillimin e procedurës për arritjen e Marrëveshjes kolektive me Kuvendin republikan.
Me marrëveshjen përkatëse rregullohen obligimet dhe të drejtat, si dhe përgjegjësitë e të punësuarve dhe punëdhënësit, të cilat burojnë nga marrëdhënia e punës dhe çështjeve të tjera me interes për të punësuarit dhe punëdhënësit, si edhe mënyra dhe procedura për zgjidhjen e kontesteve të ndërsjella.
Ky angazhim mundëson rritjen e konsiderueshme të pagave të të punësuarve në Universitet, duke kontribuar në zhvillimin më cilësor të shkencës dhe arsimit sipëror, në interes të studentëve dhe shoqërisë. Sindikata e Universitetit të Tetovës shprehu mirënjohje të posaçme ndaj Kryetarit të Kuvendit dhe shërbimeve profesionale.