Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli më 12 shkurt 2024, bashkë me Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtarë Prof. Dr. Salajdin Salihi dhe bashkëpunëtorë të tjerë, i pritën në takim pune shefen e zyrës së Organizatës Ndërkombëtare për Migrim në Maqedoninë e Veriut zonjën Sonja Bozhinovska Petrushevska, e shoqëruar nga konsulentja znj. Verica Janeska dhe koordinatorja e programit IOM (International Organization for Migration), Erda Qazimi Beqiri.
Temë diskutimi e këtij takimi ishte krijimi i kushteve për bashkëpunim për realizimin e një projekti mes Universitetit të Tetovës dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migrim përmes programeve të ndryshme studimore të njësive akademike, në veçanti atyre të cilat janë në interes të përbashkët për dy institucionet.
Përmes këtij bashkëpunimi Organizata Ndërkombëtare për Migrim do të marrë përsipër që në Universitetin tonë të sjellë profesorë dhe ekspertë të cilët veprojnë në vende të ndryshme të botës.
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli shprehu gatishmërinë e tij për të vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet kadrovike për të hartuar një platformë që do t’i shërbejë realizimit të qëllimeve të sipërpërmendura, konform nevojave të Universitetit të Tetovës dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migrim.