Kryeministri i parë shqiptar, i Qeverisë së vendit tonë, z. Talat Xhaferi dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Jeton Shaqiri, sot e vizituan Universitetin e Tetovës, ku u pritën nga Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti, Sekretari i përgjithshëm z. Adem Beadini, prorektorët dhe udhëheqësit e disa sektorëve.
Në këtë takim Kryeministri i vendit theksoi se vizita në tempujt e dijes zë vend të veçantë në agjendën e tij të punës, me theks të veçantë në Universitetin e Tetovës. Ai shprehu konsideratën e tij për këtë institucion që ndër vite jep kontribut thelbësor në shoqëri dhe nga viti në vit shënon rezultate evidente.
Ndërkaq Rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Kryeministrin e njoftuan me zhvillimet në Universitet, hapat progresivë që ka shënuar ky institucion i arsimit të lartë në shumë fusha si në arsim, shkencë, por edhe në bashkëpunimin ndërkombëtar, ku tashmë ky universitet njihet gjerësisht për kontributin që jep në asociacionet e ndryshme universitare, por edhe hulumtimet e botuara në revistat e fakulteteve që janë certifikuar nga platformat më të njohura ndërkombëtare.
Po ashtu në këtë takim u bisedua për projektet e ardhshme infrastrukturore, hapjen e vendeve të reja të punës, përgatitjen e ofertës universitare në harmoni me kërkesat e tregut të punës, si dhe çështje të tjera me rendësi për arsimin e lartë.
Pas qëndrimit në Universitetin e Tetovës, z. Talat Xhaferi bashkë me Rektorin e UT-së, Kryetarin e Senatit dhe bashkëpunëtorët tjerë, e vizituan edhe Konviktin shtetëror në të cilin janë vendosur rreth 300 studentë. Konvikti është ndërtuar me mjete nga buxheti i Qeverisë së RMV-së, por edhe Universiteti i Tetovës ka alokuar mjete financiare për përgatitjen e dokumentacionit, kyçjen në rrjetin e ujësjellësit, ujërave të zeza, ndriçimin publik dhe për punë të tjera infrastrukturore.