Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe dekani i Fakultetit Filologjik Prof. Dr. Berton Sulejmani morën pjesë në Konferencën Shkencore Mbarëkombëtare me temë: “Gjuha shqipe – perspektivat dhe rreziqet”. Konferenca u organizua nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhës në Republikën e Maqedonisë së Veriut për nder të 21 Shkurtit – Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare.

Në këtë konferencë ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm i ekspertëve dhe studiuesve të gjuhësisë dhe letërsisë, Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli në fjalën e tij theksoi se gjuha shqipe është një testament i qëndresës së popullit tonë, e cila me gjithë pushtimet dhe ndikimet e ndryshme ndër shekuj, ka qëndruar e palëkundur duke e ruajtur identitetin dhe karakterin e saj unik. Sipas tij në një rajon të karakterizuar nga diversiteti etnik dhe gjuhësor, gjuha shqipe shërben si një forcë unifikuese, duke kapërcyer ndarjet midis komuniteteve dhe rajoneve të ndryshme brenda Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe më gjerë. “Ne jemi shumë të vetëdijshëm për sfidat e shumta me të cilat gjuhët e vogla, të vogla jo për nga rëndësia apo historia, por për shkak të numrit të vogël të folësve të tyre, përballen në botën e sotme të globalizuar. Për më tepër, globalizimi ka çuar në homogjenizimin e kulturave dhe gjuhëve. Gjuhët e ashtuquajtuara të vogla përballen me rrezikun e humbjes së identitetit të tyre unik dhe trashëgimisë gjuhësore. Ruajtja e këtyre gjuhëve nuk ka të bëjë vetëm me diversitetin gjuhësor; ka të bëjë me ruajtjen e diversitetit njerëzor dhe garantimin që çdo kulturë dhe komunitet të ketë të drejtën të shprehet në gjuhën e vet. Gjuha është më shumë se një mjet komunikimi; është aspekt themelor i identitetit, trashëgimisë dhe përkatësisë.” – tha Rektori i UT-së Prof. Dr Jusuf Zejneli.

Ndërsa dekani i Fakultetit Filologjik i UT-së Prof. Dr. Berton Sulejmani në kumtesën e tij që prezantoi në këtë konferencë u shpreh se gjuha amtare, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për identitetin, kulturën dhe historinë e popullit tonë. “Gjuha jonë, gjuha shqipe, është një pasuri e madhe kombëtare, ka një vlerë të madhe kombëtare, me një identitet shumë të fuqishëm kombëtar, unë do të thoja se identiteti ynë kombëtar ka filluar me gjuhën shqipe, p.sh.: gjatë Rilindjes Kombëtare, pra rilindësit e mëdhenj gjuhën e patën në kujdesin më të madh për ta përdorur për forcimin e identitetit kombëtar, forcimin e njësisë kombëtare, për ta rritur pavarësinë kombëtare, për t’i thënë botës që kemi edhe ne një gjuhë tonën, një gjuhë të lashtë, që e kanë ruajtur, e kanë mbrojtur shqiptarët dhe kanë krijuar vlera të rëndësishme. Edhe shqiparët e këtyre trevave e kanë ruajtur gjuhën shqipe, madje edhe e kanë kutivuar dhe e kanë studiuar. Mjafton të përmendet këtu roli i shkrimtarëve, studiuesve e dashamirëve të gjuhës sonë, pastaj roli i gazetës “Flaka e vëllazërimit” numri i parë i së cilës doli më 4 prill 1945 në Shkup. Dalja e një organi si ky, pra si kjo gazetë, në mjediset gjuhësore të Shkupit, Tetovës, Kumanovës, Gostivarit, Kërçovës, Dibrës, Strugës, Ohrit, Manastirit, në këto treva shqiptare të ish−Jugosllavisë (sot Maqedoni e Veriut) kishte një rëndësi të madhe, përveç të tjerave, edhe për përhapjen e ngulitjen e normës së gjuhës së shkruar letrare, e pas vitit 1972 gjuhës standarde shqipe; po të njëjtin rol patën edhe Radio Shkupi, revista “Jehona”, roli kolosal i dy katedrave të gjuhës shqipe: Katedrës së Albanologjisë në Shkup (1962, 54 vjet), asaj të Universitetit të Tetovës (1994).” – u shpreh mes tjerash Prof. Dr. Berton Sulejmani.

Në Konferencën Shkencore Mbarëkombëtare “Gjuha shqipe – perspektivat dhe rreziqet” kumtesat e tyre i paraqitën edhe Ardian Musliu, drejtor i AZGj-së, Ministri i Arsimit dhe Shkencës në vendin tonë z. Jeton Shaqiri, dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, Prof. Dr. Sabri Laci, drejtuesi i katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” Prof. Dr. Ismet Osmani, drejtuesi i Departamentit të Gjuhësisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës Prof. Dr. Shezai Rrokaj e shumë të tjerë.