Universiteti i Tetovës për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, (7. 3. 2024), i laureoi me Çmimin kombëtar “Fadil Sulejmani” Kryeministrin e parë shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut z. Talat Xhaferi dhe doajenin e këngës shqipe, artistin e popullit z. Ilir Shaqiri.
Akademinë solemne kushtuar 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, e shpalli të hapur Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i UT-së Prof. Dr. Salajdin Salihi i cili tha se Mësonjëtorja e Korçës, vlerësohet si shkolla e parë laike në gjuhën shqipe e cila ishte fryt i përpjekjeve të rilindësve shqiptarë, që punuan me mendje e shpirt për ta nxjerrë kombin nga zona e errësirës. “Nisur nga kjo, pas më shumë se një shekulli në shtëpitë e tetovarëve u hapën mësonjëtoret për studentët e parë të Universitetit të Tetovës. Mësonjëtorja e Korçës u mbështet financiarisht dhe moralisht nga popullata dhe mërgata shqiptare. E njëjta histori u përsërit pas më shumë se një shekulli me Universitetin e Tetovës. Drejtor i shkollës së parë laike shqipe ishte tragjiku Pandeli Sotiri, kurse rektori i parë i Universitetit të Tetovës ishte profesori i nderuar Fadil Sulejmani. Hapja e mësonjëtores u kundërshtua nga Patrikana Greke, kurse hapja e Universitetit të Tetovës u kundërshtua me forcë nga Qeveria e Maqedonisë së atëhershme dhe ka dëshmorin Abdylselam Emini. Mësonjëtorja e Korçës ishte shqiptare, e përgjithshme, laike, ashtu sikurse është Universiteti i Tetovës. Shkolla e parë i frymëzoi edhe vendet e tjera të hapnin shkolla të ngjashme, ashtu sikurse Universiteti ynë u bë frymëzim për hapjen e institucioneve të ngjashme arsimore.” – tha Prof. Dr. Salajdin Salihi.
Në këtë ngjarje ku të pranishëm ishin personalitete të shumta nga jeta akademike, politike, intelektuale, fetare dhe shoqërore, Kryetari i Senatit të UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti para të pranishmëve elaboroi në detaje procedurën e ndarjes së këtij çmimi duke paraqitur motivacionin dhe laureatët e këtij çmimi. Ai theksoi se një festë e rëndësishme si kjo, mund të festohet në shumë mënyra, por mënyra më e mirë është kur shoqërohet me ide dhe nisma të reja, që do të jenë në shërbim të arsimimit në gjuhën shqipe dhe të vlerësimit të përhershëm të personaliteteve që lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën shoqërore dhe në kujtesën tonë kombëtare. “Universiteti i Tetovës sivjet e shënon Ditën e Mësuesit me dy kurorëzime të rëndësishme. Senati i Universitetit e ka themeluar Fondacionin “Fadil Sulejmani”, që do të jetë dorë e shtrirë për studentët me vështirësi ekonomike dhe Çmimin kombëtar “Fadil Sulejmani”, nëpërmjet të cilit synojmë ta ruajmë kujtimin e përhershëm për Rektorin historik dhe t’i nderojmë personalitetet me kontribute të çmuara në sferën politike, shoqërore, arsimore, kulturore, shkencore, artistike, filantropike dhe sportive në mbarë hapësirën shqiptare dhe më gjerë.” – u shpreh Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ai më tej lexoi edhe motivacionin mbi të cilin Senati i UT-së ndan Çmimin kombëtar “Fadil Sulejmani” për laureatët, Kryeministrin e parë shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut z. Talat Xhaferi dhe zërin e bukur të muzikës shqiptare, z. Ilir Shaqiri. “Republika e Maqedonisë së Veriut, për herë të parë që nga pavarësimi i saj, udhëhiqet nga një kryeministër shqiptar, nga z. Talat Xhaferi. Përveç simbolikës së veçantë, zgjedhja e një kryeministri shqiptar në këtë shtet e rrënon edhe një tabu të paarsyeshme. Senati i Universitetit të Tetovës z. Talat Xhaferi i jep Çmimin kombëtar “Fadil Sulejmani” për angazhimin ushtarak, shoqëror dhe politik; për pasionin dhe dashurinë e tij në ndërtimin e paqes së përhershme në vendin tonë; për avancimin e të drejtave themelore për të gjitha bashkësitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut; për kontributin e çmuar për arsimin, shkencën, kulturën shqiptare dhe për mbështetjen e pareshtur dhënë Universitetit të Tetovës. Shprehim dëshirën tonë që z.Talat Xhaferi t’i përfaqësojë sa më denjësisht qytetarët, pa dallim të origjinës etnike dhe përkatësisë partiake. Laureat i Çmimit kombëtar “Fadil Sulejmani” është edhe z. Ilir Shaqiri, një personalitet i shquar i kulturës dhe i artit shqiptar. Senati i Universitetit të Tetovës këngëtarit dhe artistit Ilir Shaqiri i jep Çmimin kombëtar “Fadil Sulejmani” për kultivimin dhe përkushtimin ndaj muzikës, artit dhe kulturës shqiptare; për kontributin e veçantë në realizimin e aspiratave kombëtare; për përjetësimin e veprave të heronjve tanë nëpërmjet artit; për frymëzimin e brezave dhe për mbështetjen e pareshtur dhënë Universitetit të Tetovës. Vlerësojmë se krijimtaria artistike e Ilir Shaqirit nuk është sezonale, por e përhershme. Ajo është një pasuri e madhe kombëtare. Në këtë trashëgimi bën pjesë edhe kënga për Universitetin e Tetovës, e cila tingëllon si himn i institucionit tonë.” – kështu e përmbylli fjalën e tij Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Pas pranimit të Çmimit kombëtar “Fadil Sulejmani” Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut z. Talat Xhaferi iu drejtua auditorit: “Shpreh falënderimet më të sinqerta për vendimin që e keni marrë për të më nderuar mua me Çmimin kombëtar “Fadil Sulejmani”, për postin e Kryeministrit të parë shqiptar që më është besuar dhe, unë krahas falënderimit dua t’ju siguroj edhe në një gjë, unë do të vazhdoj të punoj ashtu siç edhe kam punuar dhe kryer çdo detyrë që më është besuar deri tani: me profesionalizëm të lartë, me përkushtim pa rezervë dhe gjithnjë duke u bazuar dhe mbështetur në Kushtetutën, ligjet dhe të drejtat dhe obligimet e pranuara universale për çdo qenie njerëzore. Jam këtu për çdo individ të cilësdo përkatësie etnike, fetare, kulturore, sociale, gjinore dhe të margjinalizuar, sepse, besoj fort se të gjithë duhet të gëzojmë po të njëjtat të drejta, por dhe obligime, të gjithë duhet të kontribuojmë maksimalisht në çdo sferë ku punojmë, për të mirën e të gjithëve, për të mirën e shtetit dhe për barazinë e plotë të të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.” – vlerësoi Kryeministri i vendit tonë, shkëlqesia e tij z. Talat Xhaferi.
Ndërsa laureati tjetër, artisti i popullit z. Ilir Shaqiri para të pranishmëve evokoi kujtime të themelimit të Universitetit të Tetovës. “Ndihem shumë i nderuar, që ndodhem para jush, ndihem shumë me fat që i takoj atij brezi, që vuri themelet e Universitetit në gjuhën shqipe në Tetovë, atij brezi çlirimtarësh, që formësuan lirinë e pavarësinë e Republikës së Kosovës. Atij brezi që nuk reshti asnjëherë, drejt udhës së dritës, drejt asaj udhe që na e trasuan rilindësit tanë, për ta finalizaur të përbashkëtën tonë, si një komb i pandarë në mesin e kombeve të qytetëruara të Evropës dhe të botës. Ishte viti 1994, i përpjekjeve intelektuale e popullore të shqiptarëvë në Maqedoni për të vënë themelet e Universitetit në gjuhën shqipe. I tërë kombi kishte kthyer sytë nga Tetova. Profesor Fadil Sulejmani bashkë me profesorët e tjerë, bashkë me studentë dhe popullin dijedashës të këtyre trevave ishin të vendosur në këtë udhë të pakthyeshme. Babai im, ndjesë pastë, më pyeste çdo ditë për ngjarjet në Tetovë, e unë i thosha se gjëja më e bukur që na keni mësuar ju baballarët shqiptarë është të mos tërhiqemi para asgjëje. Fara e lirisë mbillet në libra, kanë thënë baballarët tanë. Në këtë kohë edhe arti muzikor nuk do të rrinte pa bërë asgjë. Bashkë me dy miqtë e mi, atëherë studentë në Universitetin e Prishtinës, Selami Kolonja dhe Bajramali Idrizi, brenda 3-4 ditësh në shtëpinë time realizuam këngën për themelet e Universitetit. Dhe kënga do të thoshte “nuk rron zogu i shqipes pa dije, pa shkollë, nuk durojnë dy krenat me i prek kush me dorë, do t’i mësojmë Naimin edhe fëmijës në djep, do ta bëjmë Tetovën, Universitet”. Vargje këmbëngulëse për një të drejtë që na takonte për fuqinë e këtij brezi që vuri themelet e tempullit të diturisë!” – shtoi mes tjerash z. Ilir Shaqiri.
Vlen të theksohet se për lauretatët e Çmimit kombëtar “Fadil Sulejmani” që Universiteti i Tetovës e ndau për z. Talat Xhaferi dhe z. Ilir Shaqiri, vlerësime përmes video-mesazheve përcollën edhe Prof. Dr. Arsim Bajrami nga Republika e Kosovës dhe Gjenerali Kudusi Lama nga Republika e Shqipërisë.
Kjo akademi u përmbyll me këngët e bukura të profesorit të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, artistit Selami Kolonja, shoqëruar në piano nga Taulant Kolonja.