Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës sot përmes disa aktiviteteve sportive e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe. Për nder të kësaj dite në ambientet e jashtme të Fakultetit të Kulturës Fizike u bë edhe shpalosja e mbishkrimit me simbolin e olimpizmit.
Përurimi i këtij mbishkrimi u bë nga dekania e Fakultetit të Kulturës Fizike Prof. Dr. Shpresa Memishi, Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti, donatori Prof. Dr. Milazim Kamberi, sekretari i përgjithshëm Adem Beadini dhe prorektorët Prof. Dr. Aida Baftijari – Yzeiri, Prof. Dr. Agon Memeti dhe Prof. Dr. Ibrahim Neziri.
Manifestimi i kësaj dite është shndërruar në traditë dhe për çdo vit dekanati i këtij fakulteti së bashku me studentët organizojnë lojëra të ndryshme sportive. Këtë vit u zhvilluan lojëra në ping – pong mes studentëve dhe profesorëve.
Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe shënohet më 6 prill. Shënimi i kësaj dite ka për qëllimin promovimin e mënyrës së shëndetshme të jetesës dhe inkurajimin e Lëvizjes Olimpike Ndërkombëtare që të krijohet mjedis promovues me qëllim kyçjen në sport të sa më shumë të rinjve.
Zyra për Informi-UT