Programi studimor Gjuhë dhe Letërsi Angleze i Fakultetit Filologjik përmes një sërë aktivitetesh, sot e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze. Kjo ngjarje u hap nga dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani, i cili theksoi se manifestimi i katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Angleze organizohet enkas për ta shënuar këtë datë të rëndësishme të gjuhës angleze si gjuhë e përmasave botërore, si gjuhë që mësohet dhe kuptohet më së shumti në botë, madje shpesh e njohur edhe me epitetet: “gjuha e arsimit, e shkencës, e diplomacisë dhe e tregtisë”. Sipas tij s’është e rastit që gjuha angleze sot të përdoret si gjuhë e dytë zyrtare në shumë shtete të botës dhe të rajonit.
Pas dekanit, studentja e vitit të parë, Drita Mustafai, lexoi esenë me titull “The importance of English Language”. Programi artistik vijoi me një video material në të cilin ish-studentë të gjuhës angleze folën për përvojën e tyre gjatë studimeve në Universitetin e Tetovës dhe treguan se si ishin punësuar brenda dhe jashtë vendit, shumë shpejt pas diplomimit.
Më pas, dy studente të vitit të tretë, Eldita Krasniqi dhe Elma Miniri, lexuan katër sonetet më të njohura të Shekspirit. Si pikë përmbyllëse, ishin 4 monologë të karaktereve të Shekspirit, të cilët u performuan nga Bedrana Hebibi në rolin e Zhuljetës, Ekmondë Morina në rolin e Ofelias në veprën “Hamleti”, Elma Mazllami në portretin e murgeshë Isabellës, si dhe Agnesa Rexhepi në rolin e Helenës nga “Ëndrra e një nate vere”.
Programin e mbylli shefja e programit studimor Gjuhë dhe Letërsi Angleze, Doc. Dr. Lindita Skenderi, e cila foli për qëllimin e këtij organizimi, duke vënë në pah peshën dhe vlerën e të studiuarit të gjuhës angleze edhe në këtë kohë kur të rinjtë e mësojnë gjuhën edhe në forma tjera. Mes tjerash ajo shtoi: “U bëmë bashkë për të festuar rëndësinë dhe ndikimin e gjuhës angleze, në 30-vjetorin e Universitetit të Tetovës dhe të Fakultetit Filologjik. Jam e vetëdijshme se gjatë këtyre dekadave perceptimet për anglishten kanë ndryshuar dhe të rinjtë priren të mendojnë se flasin anglisht vetëm përmes rrjeteve sociale. Megjithatë, si profesorë dhe akademikë, detyra jonë është të vërtetojmë se anglishtja është shumë më tepër se sa duket, është gurthemeli i qytetërimit, historisë, komunikimit, përparimit shkencor dhe kulturës”- tha shefja e programit studimor Gjuhë dhe Letërsi Angleze, Doc. Dr. Lindita Skenderi.
Qëllimi i aktivitetit të sotëm ishte fuqizimi i studentëve tanë, shfaqja e kapacitetit, aftësive dhe rritjes së jashtëzakonshme që ata përfitojnë gjatë studimeve. Potenciali i tyre i tejkalon pritshmëritë e të gjithëve dhe mësimdhënësit duhet t’ua rrënjosin besimin për të njohur vlerën e tyre të vërtetë.