Në kuadër të programit për mobilitet Erasmus+ në Fakultetin e Arteve të UT-së, prej 29 prill – 3 maj 2024 do të qëndrojnë dy profesorë të Konservatorit të muzikës “Stanislao Giacomantonio” të Kozencës në Itali, profesor Cosimo Innocenzo De Gaudio dhe profesor Giuseppe Santelli.
Profesor De Gaudio është me origjinë arbëreshe dhe është i interesuar mbi etnomuzikologjinë dhe aspektet e saj në trevat shqiptare, kurse profesor Santelli është jo vetem një pedagog i lëndëve pop/rok, por edhe autor tekstesh për studimin e këtij zhanri muzikor.
Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Dr. Senad Abduli në takimin e pritjes së dy profesorëve theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve të këtilla sepse forcimi i lidhjeve institucionale mes akademive dhe universiteteve evropiane është një ndër prioritetet e Fakultetit të Arteve.
Prodekania për shkencë e Fakultetit të Arteve, Prof. Dr. Nora Halimi e cila bashkë me koordinatoren për Erasmus+, Mr. Sc. Shpresa Ademi mundësuan realizimin e këtij trajnimi konsideron se në një kohë kur edukimi është sfidë globale, platforma për mobilitet Erasmus+ hap dyert e një bote përplot mundësi dhe promovon shkëmbimin e dijes dhe bashkëpunimin akademik ndërkombëtar. Ajo beson se studentët dhe komuniteti artistik do të përfitojnë nga shkëmbimi i perspektivave të reja që mund të sjellin profesorët në fjalë.
Profesorët nga Italia vazhduan vizitën në ambientet e programit studimor Art Muzikor ku u pritën nga shefi i këtij programi Prof. Dr. Bajramali Idrizi, stafi i profesorëve dhe studentët.
Fakulteti i Arteve përmes platformave për mobilitet dhe jo vetëm, vazhdon të punojë në ngritjen e cilësisë së ofertës akademike si për studentët, ashtu edhe për ata që pretendojnë të jenë pjesë e Universitetit tonë në të ardhmen.