Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës, më 2 maj 2024, studiuesja nga Tirana, njëherit edhe drejtoreshë e “Albanian Institute of Cultural Studies (AICS)”, Dr. Elona Gjata, mbajti një ligjëratë interaktive me studentët, mbi temën “Bilinguizmi në shoqëritë diverse: sfidë apo avantazh”. Sipas saj, bilinguizmi si një fenomen në shoqëri diverse, gjithmonë është avantazh. Po ashtu ajo theksoi se Maqedonia e Veriut është rast i mirë studimi, pasi jetojnë nacionalitete të ndryshme, kësisoj edhe fliten gjuhë të ndryshme dhe kjo dëshmon se përdorimi i më shumë gjuhëve nuk rrezikon asnjë gjuhë, pasi ato zhvillohen paralelisht.
Kjo veprimtari u zhvillua përmes bashkëbisedimit me studentët, ku u diskutua për shumë çështje, duke filluar nga vështirësitë për të qenë bilingualë, ambientet ku mund të mësohet më shumë se një gjuhë, ndikimi i familjeve me etni të ndryshme, e deri tek avantazhet e të qenit bilingual. Nga diskutimet e shumta, u konfirmua se e folura e më shumë se një gjuhe, sjell benefite të ndryshme në jetë dhe karrierë, pasi zgjerohet diapazoni i trurit dhe rritet niveli i inteligjencës, deri në atë shkallë sa mund edhe të prevenohen sëmundje si demenca apo alzheimeri. Studentët ishin mjaft aktivë gjatë kësaj ligjërate dhe shpeshherë ndërhynin për t’i plotësuar apo edhe për të kundërshtuar idetë dhe shembujt e profesoreshës Gjata.
Në përmbyllje të ligjëratës, të gjithë të pranishmit e plotësuan një formular lidhur me bilinguizmin dhe mënyrat se si i kanë mësuar gjuhët e huaja, gjë e cila do t’i shërbejë profesoreshës për të formuar një opinion akoma më të fuqishëm rreth temës përkatëse.