Në kuadër të programit CEEPUS dhe rrjetit: “SK-1018– Biologji, Bioteknologji dhe Shkenca Ushqimore” Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i UT-së, i udhëhequr nga dekani, Prof. Dr. Xhezair Idrizi, me 10 studentë master dhe 4 pedagogë në fund të muajit maj realizuan vizitë studimore në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit Szeged në Hungari. Në programin gjithëpërfshirës, ishin paraparë jo vetëm ligjëratat shkencore dhe prezantimet e studentëve, por edhe pjesëmarrja e studentëve dhe pedagogëve në laboratorë, punëtori dhe vizita në fabrikë. Në kuadër të programit për lëvizshmëri CEEPUS u realizua edhe punëtoria e titulluar “Produktet bukëpjekëse nga vende të ndryshme” e organizuar nga Instituti i Inxhinierisë Ushqimore për programe profesionale me drejtuesin Prof. Dr. Balázs Szabó si dhe Institutin e Menaxhimit Inxhinierik dhe Ekonomik nën udhëheqjen e Dr. József Gál, njëherit edhe zëvendësdekan i Marrëdhënieve të Jashtme.
Studentët e FTUU-së dhe ligjëruesit e Universitetit të Tetovës e vizituan edhe fabrikën e bukëpjekjes, Szegedi Sütödék Kft, si dhe laboratorët e Institutit të Inxhinierisë Ushqimore. Eksperti me famë evropiane Mr. Zoltán Győri përgatiti një ligjëratë për të interesuarit, pas së cilës studentët e UT-së, përkatësisht të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i prezantuan ligjëratat e tyre. Në përmbyllje të kësaj vizite delegacioni i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit së bashku me studentët morën pjesë në Konferencën e Tretë Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Ekonomi të mbajtur më 31 maj 2024 në Szeged, organizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë i Universitetit të Szegedit.
Objektivat kryesore të konferencës ICOSTEE përfshijnë ofrimin e mundësive për përhapjen më të fundit shkencore; krijimin e një platforme për studiuesit dhe profesionistët e industrisë për të diskutuar rezultatet e zhvillimeve të mëparshme dhe për të identifikuar fusha të reja të fokusit të kërkimit dhe zhvillimit.
Koordinatori i programit nga Universiteti i Tetovës Prof. Dr. Erhan Sulejmani vlerësoi se agjenda në fjalë ka dhënë kontribut të veçantë dhe inkurajim për studentët në integrimin e tyre me industrinë ushqimore të vendeve të Bashkimit Evropian duke rritur bashkëpunimin si një potencial për aftësimin e kuadrit të ri në vendin tonë. Gjatë kësaj vizite nga dekani i Fakulteti Inxhinierik të Universitetit Szeged Prof. Dr. Istvan Biro në shenjë bashkëpunimi të mirëfilltë koordinatorit të programit Prof. Dr. Erhan Sulejmani iu nda edhe një mirënjohje.
Ndërkaq dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit në Universitetin e Tetovës Prof. Dr. Xhezair Idrizi, veçoi se këto projekte në të ardhmen do të kontribuojnë në rritjen e aktiviteteve duke u mundësuar studentëve praktika dhe përvoja që do të sjellin perspektivë të re nga ekspertë në teknologjitë e inovacioneve në fushën e inxhinierisë ushqimore dhe të ushqyerit. Aktivitetet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen duke organizuar edhe trajnime si dhe studime profesionale specialistike pranë Fakultetit të Teknlogjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit si një perspektivë e re e trajnimit me ekspertë kompetentë nga universitetet evropiane.