Absolventët e Artit Figurativ të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, të shtunën (8 qershor 2024) e hapën ekspozitën tradicionale të radhës në Qendrën kulturore në Strugë. Bëhet fjalë për ekspozitën tradicionale që studentët e Artit Figurativ të universitetit tonë për çdo vit e mbajnë në qytetin buzë Drinit nën moton “Ekspozitë e absolventëve”.

Në hapjen e ekspozitës, krahas shumë artdashësve struganë, ishin të pranishëm edhe personalitete të ndryshme nga fusha e artit, kulturës, biznesit, profesorë dhe studentë. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Në fjalën e hapjes, duke vënë në pah misionin e Universitetit të Tetovës, i cili sivjet shënon përvjetorin jubilar, pra, 30-vjetorin e  themelimit të tij, shprehu falënderim për përkrahjen e vazhdueshme të struganëve që po ia japin kësaj vatre të arsimit prej ku kanë dalë dhe po dalin kuadro të shumta të cilët sot janë bartës të rëndësishëm të jetës shoqërore në vend. Rektori, pasi e potencoi punën e mësimdhënësve të Fakultetit të Arteve, dhe pasi vlerësoi lart punimet e prezantuara në ekspozitën në Strugë, ai shtoi se ndihet i nderuar që është në mesin e studentëve për të përjetuar  emocione të cilat dinë vetëm artistët ta na i krijojnë.

Edhe dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli, në fjalën e tij  përshëndetëse, pasi i përgëzoi studentët për punën dhe përkushtimin e tyre ndaj profesionit që kanë zgjedhur, e nënvizoi domethënien e kësaj ekspozite për studentët por edhe për vetë qytetin e Strugës. Ashtu si drejtuesit më të lartë të UT-së, edhe studentët shprehën falënderim për angazhimin, kontributin dhe punën e palodhshme të profesorit të Historisë së artit pranë Universitetit të Tetovës, Prof. Ord. Dr. Mixhait Pollozhani, i cili për vite me radhë studentëve u ka krijuar mundësinë që ata të shfaqin talentin dhe arritjet e tyre akademike gjatë katër viteve të studimit. Falë idesë së profesorit, Pollozhani, studentët nëpërmjet kësaj ekspozite kanë mundësinë për t’u sprovuar dhe për ta ndier peshën e prezantimit para publikut duke bërë gjithçka vetë, duke filluar që nga ideja dhe ndërtimi i veprave, përzgjedhja dhe fotografimi i veprave, dizajnimi i katalogut dhe posterave, si dhe arranzhimi i ekspozitës.

Nëpërmjet veprave me tema dhe motive të ndryshme absolventët: Ensar Feta, Arlind Arifi, Rina Murati, Enisa Jusufi, Amir Demiri, Hadisa Bajrami, Leonora Asani, Bardha Aliti, Armina Samahodaj, Binesa Sala janë përpjekur që me pikturat, grafikat, pllakatet, skulpturën dhe artin konceptual të përçojnë ide, emocion, mesazhe përmes gjuhës universale të artit. Në emër të studentëve, foli studentja, Binesa Sala, e cila nënvizoi se, pikërisht, kjo ekspozitë është një mundësi për studentët që të shpalojnë para artdashësve pak nga krijimet e tyre, ose disa grimca të asaj çka ata janë… “Pavarësisht se kjo ekspozitë simbolizon mbylljen e kapitullit tonë si absolventë, edhe ne do të mbetemi një kapitull i bukur i këtij Universiteti, ashtu siç ky institucion i lartë arsimor do të jetë libri më i bukur i jetës sonë” – tha ndër të tjera studentja në fjalë.

Në lidhje me këtë ekspozitë, prodekania për arsim, Prof. Inord. Dr Jëlldëz Asani vlerësoi se ky prezantim për këta studentë është një hap drejt asaj që ata i pret në të ardhmen, një pasqyrë e angazhimit dhe pasionit që çdonjëri prej tyre e ka arritur në fushën e tij të studimit, për të shfaqur frytet e punës së tyre dhe ku publiku do të gjejë mundësinë të shijojë dhe të vlerësojë veprat e artit.