Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihi, përgjegjësja e Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare Doc. Dr. Hatibe Deari Zeqiri dhe koordinatorja universitare për Erasmus +, Mr. Sc. Shpresa Ademi, i pritën në takim Rektorin e Universitetit Burdur Mehmet Akif Ersoy, Prof. Dr. Hüseyin Daglar dhe Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar të këtij universiteti Prof. Dr. Oğuz Gursoy.

Qëllimi i këtij takimi ishte nënshkrimi i memorandumit për bashkëpunim në mes dy universiteteve me të cilin synohet zhvillimi i bashkëpunimit akademik, kulturor dhe shoqëror si dhe promovimi i mirëkuptimit të ndërsjellë.

Nënshkruesit e këtij memorandumi, rektorët e universiteteve përkatëse,  u pajtuan që të zhvillojnë aktivitete bashkëpunimi në fushat akademike. Kjo marrëveshje përfshin shkëmbimin e personelit akademik dhe administrativ, kryerjen e projekteve kërkimore – shkencore, realizimin e konferencave, kongreseve dhe simpoziumeve shkencore si dhe promovimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Rektorët e universiteteve përkatëse u shprehën të lumtur që prej kësaj marrëveshjeje do të përfitojnë një numër i madh i studentëve dhe stafit akademik të të dyja institucioneve të arsimit të lartë.