Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli i shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Prof. Dr. Nevzat Elezi e priti në takim drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës z. Agim Berisha.
Rektori i UT-së fillimisht e uroi z. Agim Berisha për emërimin e tij në krye të këtij institucioni shëndetësor tejet të rëndësishëm për qytetin e Tetovës dhe më gjerë.
Drejtuesit e institucioneve përkatëse e theksuan rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit midis tyre duke i vënë në funksion kapacitetet që posedojnë këto dy institucione për të mirën e qytetarëve, në veçanti për studentët.
Duke u bazuar edhe në profilin e veprimtarisë që zhvillojnë, Universiteti i Tetovës dhe Spitali Klinik i Tetovës nga viti në vit e kanë forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional si në këmbimin e stafit ashtu edhe në organizime të tjera që kanë për qëllim hulumtimet shkencore.