Në kuadër të projektit “Zero Waste” i cili është i mbështetur nga Presidenca e Agjencisë Turke për bashkëpunim dhe koordinim dhe nga Zyra për koordinimin e programit TIKA në Maqedoninë e Veriut, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i UT-së do të realizojë trajnimin dhe specializimin e certifikuar të studentëve të ciklit I dhe ciklit II të cilët aspirojnë që në të ardhmen të angazhohen në kompanitë më të zhvilluara në aspektin e transformimit të gjelbër në Turqi.

Projekti në fjalë është në fazën fillestare dhe synon nxitjen e studentëve për t’u përfshirë  në industrinë me standardet e reja të teknologjisë dhe inovacionit të gjelbër.

Koordinatori i projektit Prof. Dr. Erhan Sulejmani theksoi se projekti përfshin 3 module prej të cilave dy të parat janë teorike dhe moduli i tretë përfshin avancimin praktik në kompanitë më të zhvilluara në çështjen e transformimit të gjelbër në Turqi.

Projekti “Zero Waste” është pjesë e rëndësishme e ekonomisë, riciklimit, ripërdorimit dhe emetimeve të gazit. Proceset e transformimit të gjelbër dhe marrëveshjes së gjelbër, duke përfshirë vendet e Evropës Juglindore, kanë për qëllim ta bëjnë Evropën neutrale ndaj ndryshimeve klimatike deri në vitin 2050, ta rigjallërojnë ekonominë përmes teknologjisë së gjelbër, të krijojnë industri të qëndrueshme dhe ta reduktojnë ndotjen.

Ky është objektiv strategjik jo vetëm për vendet anëtare të BE-së, por edhe për vendet tjera që i zbatojnë rregulloret përkatëse të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).