Në organizim të Institutit Albanologjik të Prishtinës, për tri ditë me radhë do t’i zhvillojë punimet edicioni XV i “Javës së Albanologjisë”. Kjo ngjarje shkencore konsiderohet si platformë ku diskutohen problemet e kulturës shpirtërore e materiale. Nga Universiteti i Tetovës, përkatësisht nga Fakulteti Filologjik marrin pjesë dekani i kësaj njësie akademike, Prof. Dr. Berton Sulejmani me kumtesën “Norma gjuhësore dhe roli i gazetës ‘Flaka e Vëllazërimit’ pas ortografisë së Prishtinës (1964)” dhe Doc. Dr. Hana Dardhishta e cila shpalosi studimin me titull: “Marrëdhëniet e ndërsjella të standardit me njësitë dialektore”. Krahas studiuesve të tjerë, pjesëmarrës në këtë veprimtari me rendësi për shkencat albanologjike, dekani i Fakultetit Filologjik i UT-së, ka theksuar se gjuha e shtypit tonë ka qenë, është dhe vazhdimisht do të jetë objekt i vëmendjes së gjuhëtarëve shqiptarë, të cilët, shtypin e shikojnë edhe nga këndvështrimi gjuhësor.
“Numri i parë i gazetës “Flaka e vëllazërimit” doli më 4 prill 1945 në Shkup. Nga viti 1971 filluan të dalin nga tre numra në javë, ndërsa prej 26 majit 1994, “Flaka” u bë e përditshme. Hulumtimin mbi gjuhën e gazetës e kemi shtrirë në katër dekada të botimit të saj (1970 – 2001). Pra, hulumtimi përfshin periudhën pas Ortografisë së Prishtinës (Prishtinë, 1964) si dhe periudhën para e pas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të mbajtur në Tiranë më 1972. Numrat e viteve 1970 – 1972 mund të themi se kanë luajtur një rol kryekreje në pasqyrimin e prirjeve të letrarishtes (shqipes standarde) që u vendosën në Tiranë (1972). Pas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), kjo gazetë e mori si detyrë kombëtare zbatimin e asaj që u vendos në Tiranë.” – është shprehur Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Në pesë sesione që përfshijnë gjuhësinë, letërsinë, historinë, etnologjinë dhe folkloristikën, kjo konferencë shkencore synon të sjellë rezultate të reja në këto disiplina albanologjike.