Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës dhe Europe House – Tetovë, me aktivitetet e organizuara më 29 dhe 30 shtator 2024 e përmbyllën Javën Evropiane të Sportit. Dje u zhvilluan ndeshjet në futboll dhe volejboll, ku luajtën studentët e Universitetit të Tetovës, ndërsa sot u realizua ecja pa makina nga Universiteti i Tetovës deri në Banjën e Tetovës, ku morën pjesë studentë, profesorë dhe drejtues të Universitetit.
Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, Ladon Murseli u shpreh i kënaqur për realizimin e suksesshëm të agjendës së aktiviteteve që u realizuan gjatë ditëve të kaluara, sikundër shprehu mirënjohjen për të gjithë pjesëmarrësit në aktivitetin përmbyllës të Javës Evropiane të Sportit. Ai e konfimroi mbështetjen e Parlamentit Studentor të UT-së për veprimtari që përfaqësojnë vlera dhe përbëjnë interes për mbarë shoqërinë.
Ndërsa koordinatori i Europe House – Tetovë, Argjend Mamuti e falënderoi Universitetin e Tetovës që iu përgjigj pozitivisht ftesës së tyre si dhe Parlamentin Studentor që iu bashkua kësaj iniciative: “Ideja e këtij manifestimi njëjavor ishte shumë e ngjeshur, duke filluar nga lojat në ping-pong, ku më pas studentët patën mundësi të vizitojnë hapësirat e Europe House, vendi ku të rinjtë mund të kalojnë kohën e tyre të lirë dhe të shprehin idetë e tyre, ta përdorin për arsye studimore, duke vazhduar më pas me lojat e futbollit dhe volejbollit dhe sot është dita e fundit, ecja deri në Banjën e Tetovës. Ideja është që të sensibilizojmë të rinjtë që të merren sa më shumë me aktivitete sportive dhe të mos gjejnë ankesa lidhur me kushtet,pasi sporti nuk do shpesh shumë kushte, por do vullnet dhe pasion”-theksoi Argjend Mamuti.
Java Evropiane e Sportit mbahet çdo vit nga data 23 deri më 30 shtator dhe ka për qëllim promovimin e aktiviteteve sportive të qytetarëve për të pasur një jetë më të shëndetshme dhe produktive.