Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës  në bashkëpunim me Këndin Amerikan në Tetovë si dhe Ambasadën Amerikane në vendin tonë, sot organizuan  një ligjëratë profesionale për zgjedhjet presidenciale në Amerikë me Kelly R. McCaleb, nënpunëse politike në Ambasadën Amerikane në Maqedoninë e Veriut.

Fillimisht në emër të dekanatit, të pranishmëve iu drejtua Prof. Dr. Ali Musliu i cili e vlerësoi këtë aktivitet si të rëndësishëm për studentët sepse nëpërmjet kësaj ligjërate  kanë mundësinë të njihen për së afërmi me procesin zgjedhor në SHBA.

Ndërsa Kelly R. McCaleb gjatë ligjëratës së saj foli për atë se si po zhvillohet fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale në SHBA duke komentuar edhe statistikat për sa i përket përqindjes së daljes në votime në bazë të moshës, gjinisë, racës e kështu me radhë. Ajo tha po ashtu se duhet parë mënyra se si t’i inkurajojnë të rinjtë  të dalin në numër më të madh në votime, sepse duke parë nga statistikat e zgjedhjeve paraprake ky numër nuk është i lartë.

Kjo ligjëratë u ndoq me shumë kuriozitet nga studentët të cilët parashtruan pyetje të shumta lidhur me temën e cila u ligjërua.