Universiteti i Tetovës sot ka nënshkruar kontratë me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të RMV-së, me qëllim rritjen dhe përforcimin e kapaciteteve laboratorike. Marrëveshjen e nënshkruan Ministri Cvetan Tripunovski dhe Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Në këtë takim të pranishëm ishin edhe zv.ministri z. Flakron Bexheti, dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit Prof. Dr. Xhezahir Idrizi si dhe Prof. Dr. Ismail Ferati – shef i Laboratorit për kontrollin e produkteve ushqimore njëherit edhe koordinator i këtij projekti.
Me këtë rast mbështetja për pajisje laboratorike për Universitetin e Tetovës, do të jetë 12.000.000 denarë. Tanimë Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit do të ketë edhe një aparaturë moderne për analizën e metaleve të rënda dhe përbërësve të tjerë inorganikë në të gjitha produktet bujqësore dhe ushqimore të cilat përbëjnë një element të rëndësishëm për arritjen e objektivave të Ministrisë së Bujqësisë.
Laboratorët po ashtu në të ardhmen do të shërbejnë edhe për hulumtime, analiza për të gjitha institucionet publike dhe private të këtij sektori dhe me këtë do të jenë edhe një ndihmesë e madhe për studentët e të dy cikleve.
Ky laborator është i akredituar dhe certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare.