6 nëntor 2024 | Në Universitetin e Tetovës i filloi punimet Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Sociale, Humane dhe Arteve. Në këtë kongres këtë vit marrin pjesë më shumë se 382 punonjës shkencorë nga 27 universitete të ndryshme dhe institucione kërkimore, të cilët gjatë dy ditëve në vazhdim do të prezantojnë punime dhe do t’i artikulojnë idetë e tyre për tema të caktuara.
Në emër të Universitetit të Tetovës të pranishmëve në auditor, mirëseardhje u uroi Kryetari i Senatit të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti duke e cilësuar këtë kongres si një ngjarje shumë të rëndësishme për Universitetin e Tetovës dhe për të gjithë ata që besojnë në forcën e vlerave të dijes, të mendimit të lirë dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar. “Ky kongres është dëshmi se si shkencat ndërveprojnë dhe se dija, shkenca dhe mendimi nuk limitohen në një lëmë apo disiplinë, ndërkaq kur ato ndërveprojnë jemi dëshmitarë se fuqia e tyre multiplikohet. Në këtë kohë kur bota përballet me sfida të mëdha globale – qoftë në fushën e mjedisit, të pabarazisë sociale, luftërave, ndryshimeve rrënjësore në aspektin gjeopolitik apo të teknologjisë që zhvillohet me një shpejtësi marramendëse – roli i universiteteve shkon përtej atij të përhapjes së dijes, pra ata angazhohen në ndërtimin e vizioneve të reja si imperativ i kohës për t’iu përgjigjur sfidave të cilat mund të jenë mundësi bashkëpunimi ose mund të shfaqen si barrikadë për progres, ndërkaq Universiteti i Tetovës ka treguar që misioni ynë shkon përtej mësimdhënies dhe kërkimit shkencor – ne gjithmonë kemi dhënë platforma dhe kemi shërbyer si arenë e debateve rreth çështjeve sociale, humane dhe arteve. Ky vizion është trasuar ndërkaq të gjithë ju që merrni pjesë në këtë kongres jeni pjesë e këtij misioni. Shpresoj se ky kongres do të jetë një platformë frymëzuese për të shkëmbyer ide, për të zgjeruar horizontet tona dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet akademikëve dhe profesionistëve nga të gjitha disiplinat.” – u shpreh Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Prorektori për Shkencë i Universiteti të Tetovës Prof. Dr. Agon Memeti në fjalën e tij duke folur mbi rëndësinë dhe tematikat që do të trajtojë kjo ngjarje shkencore u shpreh se vizioni i kongresit është që të promovojë idenë se universitetet shërbejnë jo vetëm si vende arsimimi dhe kërkimi shkencor, por edhe si udhëheqës të progresit social. “Duke i dhënë prioritet këtij objektivi, në këtë ngjarje përfshihen pesë konferenca kryesore që bashkëveprojnë në lidhje logjike me njëra – tjetrën dhe janë koherente me temat që trasojnë, edhe atë: • Konferenca e 9-të Ndërkombëtare Shkencore e Fakultetit të Filologjisë, me temën: “Ismail Kadare ndërmjet letërsisë shqiptare dhe botërore”, ku do të shqyrtohet ndikimi letrar i Kadaresë në skenën ndërkombëtare. • Konferenca e 10-të Ndërkombëtare Shkencore e Fakultetit të Ekonomisë dhe Administrim Biznesit, me temën: “Ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit për shkak të krizës ekonomike të fundit”, që synon të adresojë ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit si pasojë e krizës së fundit ekonomike. • Konferenca e 5-të Ndërkombëtare Shkencore e Fakultetit të Pedagogjisë, me temën: “Edukimi i qëndrueshëm për një shoqëri të qëndrueshme”, një forum i rëndësishëm për të eksploruar edukimin e qëndrueshëm si bazë për zhvillim shoqëror. • Konferenca e 9-të Ndërkombëtare Shkencore e Fakultetit Juridik, me temën: “E drejta, qeverisja e mirë dhe drejtësia sociale,” e cila do të trajtojë çështje të rëndësishme të drejtësisë sociale dhe të qeverisjes së mirë. • Konferenca e 9-të Ndërkombëtare e Fakultetit të Filozofisë – “Çështje socio-kulturore – Qasje dhe mundësi në të kaluarën dhe sot,” duke shqyrtuar çështjet socio-kulturore në kontekstin historik dhe bashkëkohor.” – theksoi mes tjerash Prof. Dr. Agon Memeti.
Përveç numrit të madh të studiuesve shkencorë, stafit pedagogjik dhe studentëve në hapjen solemne të kongresit të pranishëm ishin edhe shumë personalitete tjera në mesin e të cilëve edhe albanologu i shquar Prof. Dr. Xhevat Lloshi, artisti i njohur Adrian Paci dhe shkrimtari, analisti politik dhe reporteri i prestigjiozes britanike “The Economist” z. Tim Judah. Ky i fundit ishte edhe folës kryesor në auditor ku ndau mendimet dhe përvojën e tij mbresëlënëse si korrespondent, reporter dhe shkrimtar i shumë librave dhe artikujve duke sjellë përvojat e tij nga zonat e luftës e në veçanti nga ajo në Ukrainë dhe jo vetëm. Ndër të tjera ai preku edhe këto tema si: Raportimet nga Ukraina çka duhet të dimë? A jemi në përfundim të luftës? Çka ka të ngjashme dhe të ndryshme nga luftërat ballkanike dhe raportimet nga ato zona e të tjera.
Në këtë kongres Universiteti i Tetovës promovoi edhe pesë botime të reja të revistave tona shkencore, të cilat janë pasuri e çmuar për arkivat e dijes dhe që e pasqyrojnë angazhimin për cilësi dhe inovacion akademik siç janë: 1. ECONOMIC VISION – FILOLOGJIA – EDUCATION – JUSTICIA – PHILOSOPHICA. Këto botime janë indeksuar në platforma të njohura ndërkombëtare si Google Scholar, Index Copernicus, ERIHPLUS, EBSCO, CEEOL dhe MLA International Bibliography, dhe këtë vit u është shtuar edhe DOI, duke rritur kështu ndjeshëm vizibilitetin e tyre ndërkombëtar dhe ndikimin në komunitetin akademik.
Kongresi këtë vit është mbështetur nga Arbëria Design, Ble Medica dhe Vezë Sharri ndërsa gjatë ditëve në vijim do të zhvillohen edhe shumë ngjarje tjera të rëndësishme në fakultetet përkatëse bashkorganizatore të këtij kongresi.
Artisti me renome ndërkombëtare Adrian Paci realizoi një masterklas me studentët e Fakultetit të Arteve
6 nëntor 2024 | Në kuadër të Kongresit Ndërkombëtar të Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve, në Fakultetin e Arteve u organizua një takim me artistin e mirënjohur Adrian Paci.
Adrian Paci është një artist bashkëkohor shqiptar, i njohur për krijimtarinë e tij që përfshin pikturë, video-art, skulpturë dhe instalacione. Ai ka lindur në Shkodër, Shqipëri, por më vonë është zhvendosur në Itali, ku ka të ndërtuar karrierën e tij ndërkombëtare.
Në karrierën e tij të gjatë, Adrian Paci ka krijuar një gamë të gjerë veprash që përqendrohen tek identiteti, migracioni, ndërlidhja e eksperiencave njerëzore dhe jo vetëm. Një pjesë të përmbledhur të këtij rrugëtimi dhe përvoje artistike, e ndau edhe me studentët dhe profesorët e Fakultetit të Arteve.
Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli duke e vlerësuar ndikimin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në botën e artit bashkëkohor, e falënderoi artistin që ndau kohën dhe përvojën e tij të çmuar me studentët tanë.
Kuratorja e aktivitetit, prodekania për shkencë e Fakultetit te Arteve, Prof. Ord. Nora Halimi theksoi rëndësinë e pranisë së një artisti të përmasave të këtilla në auditoret tona, e bindur se kjo vizitë do të jetë frymëzim për studentët dhe me shumë vlerë edhe për stafin e profesorëve që prej kohësh e ndjekin krijimtarinë e tij.
“Për shumë prej pjesëtarëve të komunitetit artistik, puna e tij ka qenë dhe është burim frymëzimi, reflektimi dhe shpeshherë një dritare për të kuptuar më thellë realitetin e përditshëm, sepse vepra e tij shpesh i kapërcen kufijtë e përvojave individuale për të trajtuar çështje që na prekin të gjithëve.” – tha ajo.
Artisti Ardian Paci dhe profesor Xhevat Lloshi gjatë vizitës në Universitetin e Tetovës, u pritën edhe nga Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Në këtë takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit me profesionistë të fushave të ndryshme për t’i shërbyer avancimit dhe progresit arsimor-shkencor.
Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor realizoi debat me gazetarin e njohur britanik Tim Judah
6 nëntor 2024 | Në kuadër të Kongresit të Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve, Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor e Universitetit të Tetovës organizoi debat publik me gazetarin dhe studiuesin e njohur nga Britania, Tim Judah. Ky debat u udhëhoq nga drejtoresha e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, Mr.Sc. Donika Kamberi, ku u diskutua për sfidat aktuale me të cilat përballen Ukraina, Ballkani Perëndimor dhe rajoni. Debati u fokusua te ndikimi i luftës në Ukrainë në stabilitetin e rajonit dhe te roli i vendeve të Ballkanit Perëndimor në skenën globale, mes ndryshimeve të reja gjeopolitike.
Tim Judah, gazetar dhe analist i shquar, i njohur për analizat e tij mbi Ballkanin dhe Evropën Lindore, theksoi rëndësinë e rajonit për sigurinë e Evropës. Judah argumentoi se përfshirja e Ballkanit Perëndimor në zhvillimet globale nuk është më një opsion, por një domosdoshmëri. Sipas tij, Ballkani Perëndimor është në vijën e parë të interesave perëndimore dhe përballë krizës në Ukrainë, stabiliteti i këtyre vendeve është thelbësor për sigurinë e Evropës, duke iu referuar edhe përpjekjeve të shteteve perëndimore për të ruajtur balancën në rajon.
Ndërsa, Mr. Sc.Donika Kamberi foli për sfidat me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor për shkak të afërsisë së tyre me Ukrainën. Ajo nënvizoi se, për këto vende, paqëndrueshmëria mund të nxisë polarizim të mëtejshëm politik dhe të krijojë sfida për integrimin në Bashkimin Evropian. Sipas saj, ndikimi i luftës në Ukrainë nuk është thjesht ushtarak, por prek edhe ekonomitë dhe strukturat sociale të rajonit tonë.
Diskutimi u përqendrua edhe te roli i fuqive të mëdha si Rusia dhe SHBA-ja në rajon, sidomos pasi Donald Trump u shpall president i SHBA-së dhe për atë se si do të jetë diskursi i tij politik në vijim. Në përmbyllje, të pranishmit patën mundësi të debatojnë rreth temave respektive, të cilat u diskutuan gjatë debatit.