Universiteti i Tetovës sot përmes një ceremonie ka ndarë bursa për 102 studentë ekselentë të ciklit të parë të studimeve. Bursa universitare u jepet studentëve si meritë për punën e palodhur, përkushtimin dhe pasionin që kanë treguar në studime dhe suksesin që kanë arritur gjatë studimeve.
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli ngjarjen e sotme e konsideroi të një rëndësie të veçantë, pasi që mbyllet një cikël i rëndësishëm për studentët ekselentë dhe është një mundësi e shkëlqyer për të festuar arritjet e tyre dhe njëkohësisht të respektohet dhe nderohet angazhimi, puna dhe përkushtimi i tyre dhe i familjeve të tyre për mbështetjen që u japin ndër vite. “Në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Tetovës dhe në emër të gjithë bashkëpunëtorëve të tjerë, dëshiroj t’ju uroj për suksesin që keni shënuar dhe njëkohësisht dua t’jua bëj me dije se angazhimi i Universitetit për studentët e talentuar dhe ambiciozë është që t’u sigurojë kushte dhe mundësi të shumta për të studiuar dhe arritur në nivele të larta akademike dhe profesionale. Kjo ndihmë që ofrojmë sot, është vetëm një hap i vogël për t’ju mbështetur në arritjen e qëllimeve tuaja. Ne do të jemi gjithmonë pranë jush, duke ju ofruar mundësi zhvillimi, burime dhe mbështetje që do t’ju ndihmojnë të bëni më të mirën. Ne sot do të ndajmë bursat universitare për studentë të ciklit të parë në vitin akademik 2024/2025, në përputhje me Ligjin për arsimin e lartë dhe Statutin e Universitetit. Konsiderojeni këtë bursë si një simbol i përkushtimit tuaj ndaj arsimimit dhe një nxitje për të vazhduar me pasion dhe dedikim në rrugën e dijes. Universiteti është vendi ku mund të zhvilloni aftësitë dhe dijet tuaja, por është gjithashtu një mundësi për t’u rritur si profesionistë dhe për të ndërtuar karrierën tuaj akademike” – tha Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Në ceremoninë e ndarjes së bursave përveç udhëheqësisë së Universitetit të Tetovës dhe dekanëve të fakulteteve, të pranishëm ishin edhe familjarët e studentëve ekselentë. Në përmbyllje të kësaj ngjarjeje, para studentëve performoi një pikë artistike në violinë, studenti i Fakultetit të Arteve Benjamin Menga.