Me një ceremoni solemne, Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës e shënoi 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit. Kjo ditë përkujton jo vetëm shpalljen e pavarësisë, por edhe sakrificat e panumërta të heronjve dhe dëshmorëve tanë që luftuan për lirinë dhe dinjitetin e popullit shqiptar.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, u shpreh se ndihet krenar nga veprimtaria e tërësishme të cilën po e realizon Universiteti i Tetovës dhe me faktin se pikërisht në Tetovë janë të vendosura figurat e njërit nga ministrat e Nëntorit të Dytë, Ismail Qemalit dhe familjes Deralla, të cilët i japin kësaj shtëpie jetë dhe shpirt. “Sigurisht mund të konstatojmë se ne, në Universitetin e Tetovës mbajmë fjalime, por e mbajmë edhe fjalën. Jam i bindur që profesorët tanë të historisë, (edhe pse unë vij nga sfera e drejtësisë dhe pak njohuri kam nga historia) do të flasin për betejat e Skënderbeut, për Nëntorin e Parë, do të flasin për Nëntorin e Dytë, për ngritjen e Flamurit Kombëtar me aq krenari nga udhëheqësi më i mençur që e kemi pasur, Ismail Qemali me bashkëveprimtarët e tij, në Vlorë. Të respektuar të pranishëm me lejen tuaj, duke pasur parasysh se Universiteti i Tetovës në këtë periudhë tridekadëshe, në prag të festës së madhe që jemi, ka shënuar mjaft të arritura, lirisht mund të shprehemi se Universiteti i Tetovës po e shënon dhe e feston Nëntorin e Tretë.” – tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu tha se 28 Nëntori – Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë së Shqipërisë, për të gjithë ne është festë e madhe, po aq e madhe sa edhe themelimi i këtij Universiteti. “Nën ombrellën e shënimit të vitit jubilar – 30 vjetorit të UT-së, ne po shënojmë sot edhe Ditën e Flamurit. Në këtë ditë të rëndësishme dëshiroj të theksoj se vetëm arsimimi do të na shpjerë përpara gjithë kombin tonë. Krenohem me gjeneratat e reja, me bashkëpunimet shkencore që i bëjnë të padukshëm kufijtë administrativë ndër shqiptarë dhe këtu vend të rëndësishëm zë edhe Universiteti i Tetovës, që në vazhdimësi përmes konferencave, simpoziumeve dhe revistave shkencore është urë lidhëse e gjithë shqiptarëve për të përmirësuar gabimet historike. Tash është koha e lapsit dhe e fletores, prandaj nga këtu dëshiroj të jap mesazhin për më shumë përkushtim në shkencë, lexim dhe arsimim, sepse kjo është e vetmja rrugë që na bashkon gjithë shqiptarëve për të arritur aspiratat tona të përbashkëta.” – tha dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu.

Studentja e gjeneratës së parë të katedrës së Historisë të Universitetit të Tetovës, Senija Etemi evokoi kujtimet e saj nga koha e studimeve, duke theksuar përpjekjet e tyre të përbashkëta për arsimim, kulturë dhe përparim. “Emocion i veçantë për mua si studente e gjeneratës së parë e Universitetit të Tetovës, që sot të jem në godinën e institucionit i cili tani përmbush të gjitha standardet e një universiteti bashkëkohor. Ky institucion më dha dije, kulturë e njohuri, të cilat po i përcjell me shumë kujdes e përkushtim, te më të shtrenjtët tanë, fëmijët. Ky tempull i dijes u themelua në një kohë kur të drejtat tona për arsimim të lartë në gjuhën shqipe ishin të mohuara. Ishte një moment historik, një akt guximi dhe vizioni që mori udhë falë përkushtimit të disa intelektualëve të vendosur, të udhëhequr nga themeluesi, tanimë i ndjerë. Prof. Dr. Fadil Sulejmani.” tha mes tjerash Senija Etemi, studente e gjeneratës së parë të UT-së.

Në përmbyllje të këtij manifestimi, ish-studentja, Flutura Mihalica interpretoi një monolog për 28 Nëntorin, ndërsa më pas studentët e Fakultetit të Arteve, Florentina Abazi dhe Abdulla Xhaferi ekzekutuan një pikë artistike.

Në vigjilje të festave të nëntorit u organizua edhe java e filmit nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës në kuadër të së cilës, në amfiteatrin “Abdylselam Emini” sot u transmetua filmi “Nëntori i Dytë”, nga regjisori Viktor Gjika.