Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli i shoqëruar nga Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Salajdin Salihi, Prorektorja për Financa, Prof. Dr. Aida Yzeiri – Baftijari, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Brikend Aziri dhe prodekani për shkencë i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Bardhyl Dauti, i pritën në vizitë, Rektorin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr. Adrian Civici, akademikun, Prof. Dr. Anastas Angjeli, Zëvendësrektorin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë Prof. Asoc. Dr. Përparim Kabo, ish-Ministrin e Arsimit, Dr. Jeton Shaqiri dhe Rektorin e Universitetit “Nënë Tereza”, Akad. Prof. Dr. Izet Zeqiri. Në këtë takim, përfaqësuesit e dy institucioneve arsimore diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit akademik në fusha të ndryshme, si shkëmbimi i studentëve dhe stafit akademik, zhvillimi i projekteve të përbashkëta kërkimore dhe organizimi i konferencave të ndryshme shkencore.
Pas takimit zyrtar, në Fakultetin Ekonomik, u bë promovimi i librit “Institucionet e Bretton Woods-it dhe Shqipëria” i autorit dhe Akademikut nga Shqipëria, Prof. Dr. Anastas Angjeli. Në hapje të këtij promovimi, Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare i UT-së, Prof. Dr. Salajdin Salihi tha se ky libër për të është i rëndësishëm, sepse ekonomia e një vendi, pra Shqipërisë, shihet në kontekst të tërësisë dhe të ndërvarshmërisë globale. “Ne jetojmë në epokën e përbotësimit (globalizmit) dhe të ndëvarshmërisë ndërkulturore, ndëretnike, gjeopolitike, gjeostrategjike, gjithsesi edhe ekonomike. Në këtë botë simulakrash, siç e quajti Zhan Bodrijari, interesat ekonomike i hijezojnë vlerat etike. Shpërpjestimi ndërmjet zhvillimeve kulturore dhe teknike e ekonomike çon në katastrofa jo vetëm materiale, por edhe morale. Ose, siç shkroi Stefan Cvajgu tek “Bota e djeshme”, e rikthejnë qytetërimin mijëra vjet pas në planin moral.” – tha mes tjerash Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare i UT-së, Prof. Dr. Salajdin Salihi.
Prodekani për shkencë i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Bardhyl Dauti tha se ky libër përbën kureshtje leximi jo vetëm për ekonomistët, por edhe për anëtarët produktivë të profesioneve tjera, intelektualë të dëshmuar të fushës së diplomacisë ekonomike veçanërisht, akademikët dhe studentët e profileve hulumtuese. “Libri qartësisht evidenton mënyrën se si ekuilibrimet makroekonomike në shkallë ndërkombëtare, ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomive nacionale, përmes involvimit të arkitekturës së institucioneve financiare ndërkombëtare. Në fund, ky libër është një mundësi për të reflektuar mbi marrëdhënien e Shqipërisë me ekonominë globale nga këndvështrimi historik dhe mbi rolin që mund të luajë vendi në një botë gjithnjë e më të lidhur financiarisht. Është një hap i rëndësishëm për të kuptuar të kaluarën dhe për të menduar mbi të ardhmen tonë ekonomike, veçanërisht në një periudhë ku ekonomitë globale po përballen me ndryshime të mëdha dhe sfida të reja.”- tha mes tjerash prodekani për shkencë i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Bardhyl Dauti.
Një ndër recensentët e librit, Prof. Dr. Adrian Civici – Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, e vlerësoi librin “Institucionet e Bretton Woods-it dhe Shqipëria” (FMN, BB, GATT-OBT) si një botim me përmbajtje shumë interesante e të vlefshme, jo vetëm në aspektet teorike e historike të tij, por mbi të gjitha, në aspektet konkrete të lidhura me shumë zhvillime të rëndësishme në realitetin shqiptar, e rajonal, në kuadrin e përmbylljes me sukses të procesit të gjatë e të vështirë të tranzicionit dhe hapjes së rrugës për integrimin evropian të Shqipërisë.
Vetë autori i librit, Akademiku, Prof. Dr. Anastas Angjeli, tha se libri që e promovojmë sot është profesional – ekonomik dhe hedh një vështrim mbi historinë e krijimit të institucioneve financiare ndëkombëare, të fondit monetar ndërkombëtar, të Bankës Botërore, të Organizatës Botërore të Tregtisë dhe udhëtimin e këtyre institucioneve për të menaxhuar ekonominë globale, krizat globale në 80 vite dhe në të njëjtën kohë për ta vënë përballë me sfidat e reja që ka ekonomia globale sot, që ka zhvillime gjeopolitike, gjeoekonomike. Ai u ndal edhe tek marrëdhëniet e Shqipërisë me institucionet e lartpërmendura dhe tha se ndihet i lumtur që ky promovim bëhet në Universitetin e Tetovës. “Një këndvështrim tjetër në libër janë edhe marrëdhëniet e Shqipërisë prej vitit 1991 dhe deri më sot, me këto institucione, marrëdhënie të cilat, një pjesë të mirë të saj unë i kam përjetuar vetë, përmes funksioneve shtetërore që kam pasur. Është kënaqësi që ta bëjmë këtë promovim në Universitetin e Tetovës, një universitet të dijes, që tashmë ka më shumë se 30 vjet që edukon të rinjtë shqiptarë në RMV dhe që hedh dritë mbi diturinë, shkencën, mbi të ardhmen e zhvillimeve dhe në të njëjtën kohë për të shtyrë përpara marrëdhëniet midis dy universiteteve tona.”- tha mes tjerash, autori i librit, Akademiku, Prof. Dr. Anastas Angjeli.
Pikëpamjet e tyre lidhur me librin i dhanë edhe, Prof. Asoc. Dr. Nikollaq Pano – Zv.rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Zv.rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Asoc. Dr. Përparim Kabo, Rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Akad. Prof. Dr. Izet Zeqiri dhe ish-Ministri i Arsimit, Dr. Jeton Shaqiri.