Me ftesë të Ambasadorit të Republikës së Austrisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesisë së Tij z. Martin Pammer, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, më 27 tetor 2025, mori pjesë në pritjen solemne të organizuar me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Austrisë.
Në këtë ngjarje të veçantë ishin të pranishëm përfaqësues nga jeta akademike, udhëheqës institucionesh arsimore e shkencore, si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Në këtë rast, Rektori i UT-së përcolli urimet më të përzemërta për popullin dhe Qeverinë e Austrisë, duke theksuar miqësinë ndërmjet dy vendeve dhe bashkëpunimin e frytshëm mes Universitetit të Tetovës dhe institucioneve austriake të arsimit të lartë. Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Ambasada e Austrisë i ka ofruar Universitetit të Tetovës në fushat e arsimit, kulturës dhe shkëmbimeve akademike.
Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli veçoi si shembull të këtij bashkëpunimi të suksesshëm “Këndin Austriak” që funksionon në mjediset e Universitetit të Tetovës, i cili shërben si urë lidhëse për promovimin e gjuhës, kulturës dhe vlerave austriake në universitetin tonë.







