Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara Prof. Dr. Enis Jakupi, më 11 korrik 2024 morën pjesë në evenimentin e Unazës Inxhinierike që u organizua nga Institucioni Inxhinierik i Maqedonisë së Veriut dhe Asociacioni i Shoqatave të Inxhinierëve. Këtij aktiviteti, për herë të parë i është bashkuar edhe Fakulteti i Shkencave të Zbatuara i Universitetit të Tetovës.

Unaza Inxhinierike është çmim që u jepet studentëve të diplomuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut me notë mesatare më të lartë, ndërsa këtë vit, Komisioni për verifikimin e dokumenteve të kandidatëve të nominuar për çmimin e Unazës Inxhinierike, ka përzgjedhur edhe studenten e Universitetit të Tetovës, Adina Osmani nga programi studimor Inxhinieria e Komunikacionit – Transportit në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara, si një ndër fitueset e Unazës Inxhinierike, bashkë me 14 kandidatë të tjerë.

Institucioni Inxhinierik i Maqedonisë së Veriut, është organizata më e madhe dhe më e vjetër që i bashkon inxhinierët nga të gjitha disiplinat, duke ndjekur angazhimet e tyre për t’u përballur me sfidat – përmirësimin e klimës sociale për inxhinierinë dhe inkurajimin e të rinjve për të zgjedhur një profesion në inxhinieri. Nga viti 2003 kjo organizatë ka qenë zëri i inxhinierisë mes të rinjve, e cila vendos për ndarjen e Unazës Inxhinierike. Shtatë vjet më vonë, këtij misioni i bashkohet edhe Dhoma e Arkitektëve dhe Inxhinierëve të Autorizuar në bashkëpunim me Presidentin e vendit, në një manifestim që tradicionalisht mbahet në Ohër, ndërsa këtë vit pjesë e këtij eventi ishte edhe Fakulteti i Shkencave të Zbatuara i UT-së.

Në këtë manifestim ishin të pranishëm shumë personalitete si Ministri i Arsimit, rektorët dhe dekanët e të gjitha fakulteteve dhe universiteteve pjesëmarrëse në eveniment.