Më 8-9 nëntor 2024, Universiteti i Tetovës ishte bashkorganizator i konferencës ndërkombëtare prestigjioze “Horizonti AI – një epokë e re kreativiteti dhe inovacioni,” që u mbajt në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Kjo konferencë mblodhi ekspertë të fushës së inteligjencës artificiale nga vendi dhe rajoni, për të diskutuar risitë, sfidat dhe ndikimin e IA-së në fusha të ndryshme të shoqërisë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme shkencore, Prof. Dr. Agon Memeti, Prorektor për Shkencë në Universitetin e Tetovës, e prezantoi punimin me titull: “Përmirësimi i Sistemit të Menaxhimit të Mësimit me Personalizim të Drejtuar nga AI-ja.” Ky prezantim trajtoi mënyrën se si integrimi i inteligjencës artificiale mund të personalizojë përvojën mësimore për çdo student, duke përmirësuar përfshirjen, mbështetjen dhe rezultatet akademike. Prof. Dr. Agon Memeti theksoi përfitimet që sjell ky sistem për institucione arsimore që synojnë të rrisin efektivitetin dhe ndikimin e tyre në procesin e mësimdhënies.
Kjo konferencë u shoqërua nga diskutime dhe paraqitje të thella të njohurive, ku përfaqësues të institucioneve akademike dhe të fushës së teknologjisë ndanë vizionet e tyre për të ardhmen e IA-së dhe për mundësitë që ofron kjo teknologji për zhvillimin e mëtejshëm të rajonit dhe botës.
Universiteti i Tetovës mbetet i përkushtuar për të ndihmuar në zhvillimin dhe përhapjen e dijes shkencore, duke marrë pjesë aktive në ngjarje të tilla ndërkombëtare që e çojnë përpara shkencën dhe shoqërinë.