Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli i priti sot në takim dekanin e FTUU-së Prof. Dr. Xhezair Idrizi, udhëheqësin e laboratorit Prof. Dr. Ismail Ferati, menaxheren e cilësisë  Mr. Sc. Hava Miftari, menaxherin  teknik Mr. Sc. Durim Alija si dhe përgjegjësen e laborantëve Rejhana Luma.

Gjatë këtij takimi, ata e njoftuan Rektorin për rrjedhën e akreditimit të Laboratorit për Kontrollin e Produkteve Ushqimore dhe planin për zhvillimin e aktiviteteve në vazhdim. Laboratori është i akredituar sipas standardeve ndërkombëtare (ISO 17025:2018) dhe rrjedhimisht ka certifikim ndërkombëtar.

Dekani i FTUU-së Prof. Dr. Xhezair Idrizi tha se ky laborator do të jetë në shërbim të institucioneve shtetërore dhe kompanive private, për shërbimet e akredituara. Në kuadër të këtyre shërbimeve, studentët do të përfshihen në punë laboratorike ku do të aftësohen për tregun e punës. Gjithashtu do të shërbejë edhe për projekte të ndryshme hulumtuese. Ndërsa Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli e përgëzoi  stafin e FTUU-së për këtë hap të rëndësishëm, duke dhënë mbështetjen e tij dhe të strukturave të tjera udhëheqëse për iniciativa të tilla të cilat bashkërisht do ta ngrenë këtë institucion në nivelet e institucioneve ndërkombëtare.