Albanologia e shquar kineze, njëherit edhe profesoreshë në Fakultetin e Gjuhëve në Universitetin e Pekinit në Kinë, Prof. Ke Jing, e bashkëshoqëruar nga Akademikët shqiptarë, Prof. Dr. Floresha Dado dhe Prof. Dr. Shaban Sinani, e vizituan Universitetin e Tetovës. Gjatë qëndrimit të tyre në Universitetin e Tetovës ata fillimisht realizuan një takim të përbashkët me Rektorin e Universitetit tonë, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Dekanin e Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.
Më pas albanologia Prof. Ke Jing, para studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës mbajti një ligjëratë me temë “Studimet albanologjike në Kinë”. Profesoresha Ke Jing, me emrin e saj shqip Gjina, gjatë prezantimit kryesisht u fokusua mbi rëndësinë e historisë së Albanologjisë. Po ashtu trajtoi edhe çështjen e identitetit dhe njohjen e tij përmes tjetrit. “Për mua kjo vizitë është shumë domethënëse. Dëshira ime e madhe për të njohur nga afër Tetovën u realizua. Në vitet 80’, kur isha studente në Kosovë, në klasë kam pasur edhe mikesha nga Tetova dhe qytete tjera të Maqedonisë si Struga dhe që atë kohë kam pasur dëshirë ta vizitoj Tetovën, aq më tepër që ky qytet ka edhe Universitetin e vet, një universitet cilësor. Kështu, shpresojmë se do të krijojmë një bashkëpunim me këtë Universitet, respektivisht me Katedrën e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës dhe Katedrën e Gjuhës Shqipe në Pekin. Vizita është shumë e dobishme për mua dhe shpresoj që në të ardhmen të kemi bashkëpunime. Jam impresionuar për suksesin dhe arritjet që ka ky Universitet. Ishte kënaqësi që të prezantoj para studentëve dhe profesorëve shqiptarë këtu në Tetovë” – tha Prof. Dr. Ke Jing – Gjina.
Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, tha se vizita e profesoreshës nga Kina, Ke Jing, me emrin shqip Gjina, është e një rëndësie të veçantë, sepse tani më ajo ka bërë emër si albanologe dhe është e shquar jo vetëm në trojet shqiptare dhe Kinë, por edhe më gjerë dhe veç kësaj, sipas tij, profesoresha, Gjina – Ke Jing është një ballkanologe e shquar. “Ajo ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimet e studimeve albanologjike në Kinë për arsye se ka qenë udhëheqëse e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Pekinit, kurse sot gjithashtu u jep shtytje edhe studimeve doktorale atje, edhe përkthimeve të veprave letrare shqipe dhe të publikimit dhe përgatitjes së fjalorit Shqip-Kinezisht dhe Kinezisht-Shqip dhe shumë e shumë shtytje të reja të Albanologjisë në shtetin e madh të Kinës. Kina është një civilizim shumë i lashtë dhe të kemi nga Kina albanologë të kësaj kategorie si Profesoresha Gjina – Ke Jing, është një gjë e madhe për kulturën shqiptare” – tha Prof. Dr. Fatmir Sulejmani. Në ligjëratën e albanologes Ke Jing – Gjina morën pjesë një numër i madh i studentëve dhe profesorëve të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës.