Në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sot i prezantuan programet e bursave, të cilat i ndanë Qeveria Amerikane. Këto programe bursash janë një mundësi e mirë studimi, si për studentët ashtu edhe për stafin akademik.
Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu, e falënderoi Ambasadën Amerikane, si një faktor shumë i rëndësishëm dhe mbështetës i fuqishëm i Universitetit të Tetovës. “Universiteti ynë tanimë ka një bashkëpunim të shkëlqyer me shumë universitete të ndryshme nga SHBA, duke sjellë kështu shumë profesorë vizitues në kuadër të programit Fulbright. Këto bursa janë një mundësi e jashtëzakonshme që të gjithë studentët dhe stafi akademik të përfitojnë përvojë, qoftë personale apo profesionale”, deklaroi Prof. Dr. Shefik Shehu. Ai, po ashtu e falënderoi edhe Këndin Amerikan në Tetovë, si një urë lidhëse shumë e rëndësishme e bashkëpunimit të Universitetit tonë me Ambasadën Amerikane.
Përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane në Shkup, Gazmend Iljazi, i prezantoi më në detaje programet e ndryshme të bursave, si programin Golbal Ugrad dhe Fulbright. “Programi i bursave Golbal Ugrad iu mundëson studentëve të studiojnë për një semestër në një nga universitetet e SHBA-ve, ndërsa bursat e programit Fulbright mundësojnë studime pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të gjithë studentët, të cilët janë në studime universitare themelore dhe dëshirojnë t’i regjistrojnë studimet e tyre pasuniversitare, por edhe për studentët të cilët i kanë të regjistruara studimet e masterit apo ato të doktoraturës dhe dëshirojnë të bëjnë kërkime, hulumtime mbi temat e tyre të magjistraturës dhe doktoraturës. E veçanta e këtyre bursave që i ofron Ambasada e Amerikës është se, i mbulon të gjitha shpenzimet nga viza deri në biletën kthyese”, theksoi Gazmend Iljazi.
Kusht i vetëm për përfitimin e bursave është njohja e gjuhës angleze, ndërsa përzgjedhja e kandidatëve bëhet në mënyrë transparente.