Sot, në ambientet e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, përfaqësuesi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, z. Gazmend Ilazi, mbajti një prezantim informues mbi programet arsimore dhe mundësitë e shkëmbimit për studentët, stafin akademik dhe profesionistët nga Maqedonia e Veriut.
Në prani të studentëve dhe stafit akademik, z. Ilazi prezantoi një gamë të gjerë programesh të ofruara nga Ambasada Amerikane, të cilat synojnë studentët, stafin akademik dhe administrativ, si dhe nxënësit e shkollave të mesme. Ai theksoi rëndësinë e këtyre programeve për zhvillimin profesional dhe personal të pjesëmarrësve, si dhe për forcimin e marrëdhënieve ndërkulturore midis dy vendeve.
Ndër programet e paraqitura ishin: Fulbright Student dhe Fulbright Scholar, Hubert H. Humphrey Fellowship, Global Undergraduate Exchange Program (Global UGRAD), Study of the United States Institutes, si dhe programe të tjera që promovojnë angazhimin qytetar dhe lidershipin tek të rinjtë dhe profesionistët.
Ky aktivitet u organizua me synimin për të informuar studentët dhe stafin akademik rreth mundësive konkrete për të ndjekur studime apo trajnime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kontribuojnë në avancimin e tyre profesional dhe akademik.