Në kuadër të angazhimeve për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe atyre të arsimit fillor, Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës dhe Shkolla Fillore Komunale “Liria” në Tetovë kanë nënshkruar Memorandum bashkëpunimi, përmes të cilit synojnë të krijojnë mundësi të reja për ndërveprim profesional dhe zhvillim të përbashkët në fushën e arsimit.

Marrëveshja u nënshkrua, më 23 nëntor 2026 nga dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi dhe drejtoresha e SHFK “Liria”, Farije Kasami, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt intensifikimit të bashkëveprimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe të arsimit fillor.

Një ndër shtyllat kryesore të këtij partneriteti është përfshirja e studentëve të programeve studimore Mësim Klasor, Pedagogji Profesionale dhe Edukim Special dhe Rehabilitim në realizimin e praktikës pedagogjike në SHFK “Liria”. Kjo mundësi do t’u shërbejë studentëve si hapësirë e rëndësishme për konkretizimin e njohurive të përvetësuara gjatë studimeve dhe për zhvillimin e aftësive profesionale në një mjedis autentik edukativo-arsimor.

Përmes angazhimit të drejtpërdrejtë në jetën shkollore, studentët do të përfshihen në procese të ndryshme, si vëzhgimi i mësimdhënies, planifikimi dhe realizimi i aktiviteteve mësimore e edukative, duke përfituar nga udhëzimet dhe përvoja e mësimdhënësve mentorë dhe bashkëpunëtorëve profesionalë të shkollës.

Dimensioni i këtij bashkëpunimi shtrihet edhe përtej praktikës studentore. Memorandumi krijon mundësi për organizimin e përbashkët të punëtorive, seminareve, trajnimeve dhe formave të tjera të zhvillimit profesional, me synim avancimin e kompetencave të mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet shkëmbimit të përvojave profesionale, promovimit të qasjeve bashkëkohore në mësimdhënie dhe realizimit të nismave që kontribuojnë në përmirësimin e të nxënit, forcimin e gjithëpërfshirjes dhe mbështetjen e zhvillimit socio-emocional të nxënësve.