Me një manifestim akademik dhe kulturor, të organizuar në Këndin e Kujtesës “Fadil Sulejmani”, Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës, e shënoi 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Ky aktivitet iu kushtua njërit prej momenteve më shënjuese të historisë kombëtare shqiptare, duke rikthyer në vëmendje rëndësinë e Kongresit të Manastirit dhe të vendimit historik për njësimin e alfabetit, si një arritje me ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin gjuhësor, arsimor dhe kulturor të shqiptarëve.
Në hapje të veprimtarisë, shefja e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Doc. Dr. Albulena Dehari, vuri në pah rëndësinë e gjuhës shqipe si një nga shtyllat themelore të identitetit kombëtar dhe të vazhdimësisë kulturore. Ajo theksoi se shqipja nuk mund të konceptohet vetëm si mjet komunikimi, por si një trashëgimi e gjallë që bart kujtesën historike, pasurinë shpirtërore dhe përvojën e brezave.
Sipas saj, përkujdesja ndaj gjuhës amtare duhet të jetë angazhim i përbashkët, që tejkalon kufijtë e institucioneve arsimore dhe shkencore, duke u shndërruar në përgjegjësi të përditshme të çdo individi. Në këtë kontekst, ajo nënvizoi rolin e veçantë të universiteteve në studimin, pasurimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, si dhe në formimin e brezave që do të dinë ta vlerësojnë dhe ta përdorin atë me përkushtim.
“Universiteti duhet të jetë një mjedis ku gjuha shqipe jo vetëm mësohet, por edhe hulumtohet, pasurohet dhe zhvillohet në përputhje me nevojat e shoqërisë bashkëkohore. Përgjegjësia jonë është që te studentët dhe brezat e rinj të ndërtojmë një raport të qëndrueshëm me gjuhën amtare, duke kultivuar dashurinë për të, respektin ndaj normës gjuhësore, interesimin për letërsinë dhe vetëdijen për rëndësinë e të shprehurit të saktë e të pasur. Në kushtet kur zhvillimet teknologjike, proceset e globalizimit dhe komunikimi digjital po ndryshojnë vazhdimisht mënyrat e përdorimit të gjuhës, detyra jonë nuk kufizohet vetëm në ruajtjen e saj. Ne duhet të punojmë për ta bërë shqipen një gjuhë gjithnjë e më të zhvilluar, funksionale dhe të pranishme në të gjitha fushat e dijes dhe të jetës publike. Hapja ndaj gjuhëve dhe kulturave të tjera është e domosdoshme, por ajo duhet të shoqërohet gjithmonë me vetëdijen dhe respektin për gjuhën tonë. Prandaj, 22 Nëntori duhet të shërbejë edhe si një moment për të reflektuar mbi mënyrën se si e përdorim shqipen dhe mbi përgjegjësinë që kemi për t’ua përcjellë atë brezave të ardhshëm.” – u shpreh Doc. Dr. Albulena Dehari.
Referatin qendror të këtij manifestimi e mbajti dekania e Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Emine Shabani, e cila trajtoi rëndësinë historike dhe simbolike të 22 Nëntorit në rrugëtimin e popullit shqiptar drejt njësimit të gjuhës së shkruar dhe konsolidimit të identitetit kulturor.
Ajo rikujtoi se Kongresi i Manastirit i vitit 1908 është një nga arritjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, pasi dëshmoi fuqinë e bashkimit rreth një ideali të përbashkët: gjuhës shqipe. Në këtë drejtim, dekania theksoi se alfabeti i njësuar ishte rezultat i një përpjekjeje të gjatë historike, në të cilën kontribuuan intelektualë, klerikë, shkrimtarë dhe veprimtarë atdhetarë, të cilët punuan për ta afirmuar shqipen si gjuhë të shkrimit, të arsimit dhe të kulturës.
“22 Nëntori nuk është thjesht përkujtimi i një ngjarjeje historike. Ai përfaqëson një moment të rëndësishëm të vetëdijes sonë kombëtare, një dëshmi të vullnetit për bashkim dhe të përkushtimit për ruajtjen e gjuhës shqipe. Historia e shkrimit shqip është e lidhur ngushtë me përpjekjet shumëvjeçare të personaliteteve të shquara, të cilët, përmes punës dhe veprimtarisë së tyre, i hapën rrugë zhvillimit të gjuhës sonë si gjuhë e dijes, e arsimit dhe e krijimtarisë kulturore.”- theksoi Prof. Dr. Emine Shabani.
Duke folur për sfidat e së tashmes, ajo u ndal te nevoja që gjuha shqipe të ruhet, të kultivohet dhe të afirmohet në të gjitha dimensionet e jetës shoqërore, akademike dhe institucionale. Sipas saj, përvjetori i alfabetit duhet të shërbejë si nxitje për veprime konkrete në mbështetje të gjuhës, duke e lidhur trashëgiminë historike me përgjegjësitë e kohës sonë.
“Përkujtimi i 22 Nëntorit merr kuptim të plotë vetëm atëherë kur shndërrohet në angazhim të vazhdueshëm për gjuhën shqipe. Në vitin 1908, rilindësit tanë dëshmuan se idealet e përbashkëta mund të tejkalojnë dallimet dhe të krijojnë vlera që u rezistojnë kohërave. Sot, këtij vizioni duhet t’i përgjigjemi përmes arsimit cilësor, kërkimit shkencor dhe veprimtarisë kulturore. Gjuha shqipe është dëshmi e historisë sonë, bartëse e identitetit tonë dhe një prej vlerave më të çmuara që kemi trashëguar. Për këtë arsye, detyrimi ynë është që këtë pasuri ta mbrojmë dhe ta zhvillojmë jo vetëm përmes fjalëve, por mbi të gjitha përmes punës dhe veprave konkrete.”-u shpreh dekania e Fakultetit Filologjik.
Programi u përmbyll me një interpretim artistik nga studentet e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Ezana Qamili dhe Erza Qira, të cilat interpretuan poezitë “Shqipëria ime” të Lindita Ahmetit dhe “Gjuha shqipe” të Ismail Kadaresë.










