Fakulteti Filozofik, më 12 nëntor 2026, ka nënshkruar Memorandum bashkëpunimi me Institutin “Alternativa”, me qëllim të krijimit të një partneriteti  në fushën e psikologjisë, këshillimit psikologjik, shëndetit mendor, martesës dhe familjes, zhvillimit personal dhe marrëdhënieve ndërpersonale.

Memorandumi synon të forcojë lidhjen ndërmjet arsimit të lartë dhe praktikës profesionale, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e aftësive praktike dhe avancimin e përgatitjes profesionale të studentëve.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, dekania e Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Sheruze Osmani Ballazhi, së bashku me shefin e Katedrës së Psikologjisë, Prof. Dr. Lulzim Murtezani, dhe Prof. Dr. Hana Saliu, pritën përfaqësueset e Institutit “Alternativa”: drejtoreshën Prim. Dr. Slavica Gajdazis Knežević, Anastasia Gajdazis Sazdov dhe Tina Dameska.

Përmes këtij memorandumi parashihet praktika profesionale për studentët, realizimi i vizitave studimore dhe përfshirja e tyre në aktivitete praktike pranë shërbimeve këshillimore të institutit. Bashkëpunimi do të përfshijë gjithashtu organizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, profesionale dhe publike, si dhe shkëmbimin e përvojave dhe njohurive ndërmjet tyre.

Të dy institucionet shprehën gatishmërinë për ta konkretizuar këtë partneritet përmes iniciativave dhe aktiviteteve, në funksion të zhvillimit profesional të studentëve dhe kontributit në mirëqenien e individit, familjes dhe shoqërisë.